5 persona janë shoqëruar nga Policia e Shkodrës në kuadër të operacionit “Fijet”, pas heqjes së 38 kamerave të tjera të sigurisë në 3 lagje të qytetit. Asnjëri prej tyre nuk ka ndihmuar hetuesit në zbardhjen e autorëve të vendosjes së kamerave nëpër shtylla dhe hapësira publike, teksa sërish mbetet problematik gjurmimi i serverave të këtyre kamerave të jashtëligjshme.

Burime nga Policia e Shkodrës bëjnë me dije se do të ketë sërish aksione për pastrimin e zonave të tjera nga kamerat që dyshohet se janë vendosur nga eksponentë të grupeve kriminale. Në fokus do të jenë disa lagje të tjera, madje policia ka dyshime se kamera të paligjshme, të cilat po verifikohen, të jenë instaluar deri në afërsi të qendrës së Shkodrës.

Ditën e djeshme, ndërhyrja u bë në lagjen “Guerrile”, e njohur ndryshe si lagjja “Kiras”. Aksioni për çmontimin e kamerave vijoi në lagjen “Kongresi i Përmetit”, apo njohur si zona e “Zdrales” dhe në lagjen “Salo Halili”, njohur si zona e Urës së Thive. Njësoj si në operacionin e parë, kamerat ishin të instaluara në shtylla elektrike, në zona që konsiderohen si shumë të frekuentuara nga qytetarët shkodranë.

Të gjitha kamerat e çmontuara dyshohet të jenë të lidhura me aparate celulare dhe komandimi i tyre të bëhet përmes internetit, edhe nga jashtë shtetit, dyshohet në Gjermani. Policia akoma nuk ka arritur të gjurmoj autorët e vendosjes së këtyre kamerave, ndërsa nuk janë gjetur serverat që ruajnë regjistrimet video.

Në operacionin e datës 14 janar, policia shoqëroi për t’i pyetur disa persona nga të dyja fiset, Lici dhe Bajri, por asnjë prej tyre nuk pranoi të jetë autori. Ata, me deklarimet e tyre para hetuesve, nuk ndihmuan në identifikimin e autorëve të vërtet që i kanë montuar në mënyrë të kundërligjshme. Pas aksionit të nisur në Shkodër, me urdhër të kryepolicit Muhamet Rrumbullaku u është kërkuar të gjitha drejtorive të policive në vend që të verifikojnë për kamera të ngjashme të vendosura në kundërshtim me ligjin, por deri tani në terren ka vepruar vetëm Shkodra.