Gazetari Artan Hoxha ka reaguar pasi Drejtoria e Përgjithshme e Tiranës e ka thirrur për ta marrë në pyetje lidhur me audio-përgjimet që publikoi pak ditë më parë, lidhur me tragjedinë e 21 janarit të vitit 2011. Në një postim në Facebook, Hoxha shkruan se ai është një person që nuk i shpëton dot drejtësisë e mund ta pyesin gjithmonë, por e rëndësishme sipas tij, është të thirren të tjerë persona. Pa përmendur emra, Hoxha shton se ish-kryeministrat, ish-Presidentët dhe kryeministri në detyrë duhen pyetur ludhur me urdhrat e dalë në pah nga përgjimet e reja.

Postimi:

Thashe une…Nuk do i shpetoja dot as kesaj radhe, atij vendit ku të pyesin, “si e ka emrin baba, si e ka emrin nena”… Ore mire beni, po une ketu jam, nuk kam ku te shkoj, vetem pasaporten e Shqiperise kam në xhep…Po si i behet te merrni ATA larte, dy ish-kryeministrat dhe ish-presidentet, bashke me kryeministrin në detyre, per t’i pyetur, “si e kane emrin e babes dhe si e kane emrin e nenes”????!!!!!!

Artan Hoxha do të pyetet sot nga Oficerët e Policisë Gjyqësore. Ai publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. 12 vite pas tragjedisë, ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al