Gazetari Artan Hoxha ka kërkuar që Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të marrë nën hetim dosjen e 21 janarit. Pas marrjes në pyetje në Drejtorinë e Policisë, Hoxha tha se për shkak të mundësive dhe faktit që duhen marrë në pyetje emra të zyrtarëve më të lartë, si ish-kryeministri Sali Berisha, ai aktual Edi Rama, ish-Presidenti Bamir Topi dhe ish-kryeprokurorja Ina Rama, kjo dosje duhet të jetë në duart e SPAK. Sipas Hoxhës, me daljen e përgjimeve të reja, drejtësia ka nhë mundësi për të zbardhur këtë çështje, por shtoi se kjo do të jetë edhe e fundit për të.

Pjesë nga fjala e Hoxhës:

Në fakt nuk është se mbajta mend dhe vura re sa kohë qëndrova, por me thënë të drjetën u vura në dispozicion të hetimit. Prokurorja që heton çështjen e 21 janarit kishte deleguar detyra për oficerët e Policisë Gjyqësore të Tiranës që më kërkuar deklarime. Së pari dua ta përshëndes prokuroren që reagoi, shpreoj që ky element i ri t’i japë një nxitje hetimit. Ajo që unë kërkoj është që të hetohet nga SPAK, kjo nuk ka të bëjë me aftësitë profesionale, por me mundësitë që ka SPAK. Është një krim shtetëror dhe duhen pyetur nivelet më të larta të asaj kohe dhe të sotshëm, ky është një atribut i SPAK. Në lidhje me këtë ngjarje nuk janë pyetur as Berisha, as Topi, as Basha, as Ina Rama dhe as shefi i Opozitës së asaj kohe, kjryeministri Edi Rama. Kjo është mundësia e vetme, nuk do të ketë më mundësi për të zbardhur këtë çështje, Kemi element të ri, institucione të reja, është momenti i duhur dhe nëse do të kalojë dhe kjo mundësi, nuk do të ketë më një tjetër. Janë vrarë katër njerëz me duar në xhepa, asnjë nuk ka qenë brenda rrethimit të Kryeministrisë, kanë qenë matanë bulevardit. Kjo është një mundësi për ta zgjidhur njëherë e mirë këtë histori. Kjo ngjarja ngjan shumë me 2 prillin e vitit 1991. Unë dhashë çdo deklarim që duhej, besoj do të vijojë hetimi, unë jam i disponueshëm sa herë që të thirrem për tu marrë në pyetje në lidhje me këtë çështje. Ajo që kemi bërë me familjarët e Aleksa Nikës është një shërbim që duhet ta kishte bërë tjetërkush.

12 vite pas tragjedisë, Hoxha publikoi bisedën e zhvilluar mes Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve në 21 janar para kryeministrisë. Ai zbardhi audio-përgjimet që sipas tij tregojnë se vrasjet u bënë me urdhër, pasi në bisedë dëgjohet qartë porosia e Prendit për vartësit më 21 janar.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm. Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg./Dosja.al