Pak fjalë për Orkestrën Simfonike të Shkodrës
Në vitin e largët 1951 në Shkodër, me dekret shtetëror u themelua, me kërkesë të artistëve shkodran, e para orkestër simfonike me amatorë në Shqipëri, e atashuar në Shtëpinë e Kulturës (sot Qendra Kulturore “Pjetër Gaci”).
Pas viteve ‘70 me Vendim të pushtetit të kohës, Orkestra Simfonike u kthye në Filarmoninë e Qytetit, e cila funksionoi deri në vitin 1990 si strukturë e institucionalizuar orkestrale.
Ky formacion ndër vite vuri në skenë vepra të mëdha shqiptare si “Mrika” e mjeshtrit Prenkë Jakova, të kompozitorëve si Pjetër Gaci, Çesk Zadeja, Tish Daija, Gjon Kapidani etj. dhe vepra të kompozitorëve të mëdhenj botërorë, Bet’hoven, Mozart, Shubert, Brahms, Weber, etj; dhe ishte pjesë e eventeve më të rëndësishme, jo vetëm në qytetin e Shkodrës me koncerte dhe shfaqje dinjitoze vokalo-instrumentale, deri edhe në shoqërimin e Festivalit Kombëtar të Fëmijëve, por edhe mori pjesë në konsurse kombëtare të orkestrave, ku u vlerësua disa herë me çmime të para.
Pas ndërrimit të sistemit politik në vitin 1990, Filarmonia dhe bashkë me të, Orkestra Simfonike dhe formacione të tjera (ansambli, kori, baleti, solistët) të Shkodrës pushuan së ekzistuari, si trupa artistike të mbështetura financiarisht nga institucione shtetërore.
Pas viteve ‘90 ka patur iniciativa dashamirëse nga mjeshtra dhe figura të shquara të artit dhe kulturës në qytetin tonë dhe përtej (nuk po përmend emra se janë shumë të nderuar, e s’dua të baj gabimin të harroj asnjenin) dhe organizata joqeveritare kulturoro-artistike, për të organizuar koncerte (pjesë e të cilave kam qenë edhe vetë si instrumentiste profesioniste), me projekte të veçanta dinjitoze, me muzikantë të ndryshëm nga Shkodra e përtej, siç mund të përmend koncerte të ndryshme: në nder të Nanë Terezës, koncert me “Requiem” i Tonin Harapit, koncert në 50 vjetorin e Operas “Mrika”, koncert në 50 vjetorin e Shkollës Artistike “Prenkë Jakova”, koncert për “Ditën e luleve”, koncert me rastin e fundvitit “Ndërmendje”, koncert i ideuar nga mjeshtri Kujtim Alija etj,; Aktivitete, të cilat të organizuara me iniciativa personale të mjeshtrave tonë të artit dhe me mbështetjen e organizmave të ndryshëm financiar, mbajtën gjallë dëshirën e artistëve dhe spektatorit shkodran që një ditë të mund të hapej drita jeshile nga institucionet vendore për mbështetje financiare për rikrijimin e Orkestrës Simfonike të Shkodrës.
Në vitin 2012 me propozim të një grupi muzikantësh të qytetit dhe me mbështetjen financiare (me honorare mujore) të Bashkisè Shkodër u ngrit Orkestra e Harqeve, (formacion i reduktuar), i atashuar pranë Qendrës Kulturore “Pjetër Gaci” (dikur Shtëpia e Kulturës), i cili fatkeqësisht funksionoi për një kohë shumë të shkurtër.
Edhe pas këtij viti, mjeshtra dhe muzikantë të shquar të këtij qyteti vazhduan ta mbajnë të ndezur dëshirën dhe andrrën e madhe që Orkestra Simfonike e Shkodrës të bëhej realitet institucional në Shkodër.
Me propozim të shumë muzikantëve shkodran, e jo vetëm , dhe me mbështetjen absolute të Bashkisë Shkodër dhe kryetarit të saj Bardh Spahia, me VKB Nr.71 , datë 27 /12 /2022 , u riformua ORKESTRA SIMFONIKE E SHKODRËS, me 45 elementë orkestral dhe dirigjent permanent mjeshtrin Jetmir Barbullushi, e mbështetur financiarisht nga Bashkia Shkodër si një trupë permanente (me honorar mujor për gjatë gjithë vitit, me status, me kontratë, me program artistik vjetor)
Orkestra Simfonike e Shkodrës, e rikthyer mbas 32 vitesh, si formacioni orkestral më i rëndësishëm i artit në qytet, nuk asht ma andërr, asht REALITET!
Faleminderit të gjithë artistëve të jashtëzakonshëm të këtij qyteti dhe çdokuj që ka kontribuar dhe kontribuon për artin dhe kulturën në Shkodër për ta rikthyer qytetin tonë në lavdinë që meriton në rang kombëtar.
Bashkë realizuam andrrën e shumë brezave.
Andrrat vazhdojnë….
SUKSESE!
Comments are closed.