Mjafton një llogari në rrjetin social Instagram, me emra dhe foto provokuese vajzash të marra nga faqe të ndryshme interneti, si pikënisje për një mashtrim online, me premtimin e takimeve me to kundrejt pagesave të ndryshme. Të tillë skemë përdorën një grup të miturish në Tiranë të cilët mashtruan disa djem duke i kërkuar të japin paradhënie deri më 15 mijë lekë të rinj, për të realizuar takim me një vajzë të rreme të cilën e krijuan përmes një profili në Instagram. Të njëjtën llogari të miturit e hapnin njëkohësisht në celularët e tyre dhe pasi shtonin me qindra persona duke i bërë “follow” flisnin e u përgjigjeshin djemve sikur të ishin vajza, që në fakt nuk ekzistonte.
Kur ofertës së rreme i shtoheshin edhe shërbime seksuale, vlera e parave arrinte në shifra të frikshme nga 500 deri në 700 euro, por duke tentuar të bëjnë “pazar” në disa raste përfundohej deri në 50 euro. Të miturit i kërkonin “presë” t’i linte paratë në zarf në disa vende të fshehta në hyrje të një pallati në kryeqytet. Më tej i shkruanin të ngjitej në një apartament, dhe sapo djemtë e mashtruar shpresonin të gjenin vajzën që mendonin se kishin biseduar, të miturit merrnin fizikisht paratë në vendin e fshehtë, siç kishin bërë udhëzimet, dhe largoheshin pa gjurmë, duke i bllokuar në rrjetet sociale profilet e djemve që kishin mashtruar.
Përgjatë vitit 2022, mashtrime të kësaj natyre janë denoncuar 13 raste në Policinë e Tiranës. Të rinj dhe burra që kanë dhënë lekët për shërbime seksuale, e gjetën veten duke humbur paratë e tyre dhe në mungesë të një zgjidhje iu drejtuan autoriteteve.
Më i rëndi, është rasti i një italiani që jeton në kryeqytet, i cili dërgoi me agjenci transfertash jo pak, por 1300 euro për marrëdhënie seksuale me atë që ai e mendonte vajzë, por që përtej telefonit dirigjonin djem, të cilët pasi morën paratë, e bllokuan në rrjetet sociale.
Nga verifikimi që kanë bërë efektivët, pas denoncimeve, paratë me agjenci transfertash kanë shkuar në 2 shtete afrikane, Nigeri dhe në Bregun e Fildishtë, që do të thotë se ose shqiptarët jetonin vetë atje, ose kanë pasur bashkëpunëtorë për të bërë tërheqjen e parave. Por, mashtrimet bëhen edhe përmes platformës Pay Pal, e cila është e pagjurmueshme dhe destinacioni i parave nuk dihet.
“Jam i sëmur, ju lutem më ndihmoni”
Një tjetër natyrë mashtrimi përmes rrjeteve sociale është edhe ai i personave të ndryshëm që luajnë rolin e viktimës, duke hapur faqe që kërkojnë fonde për njerëz të sëmurë. Kjo kategori mashtruesish tentojnë të prekin emocionalisht qytetarët që t’u dërgojnë para për sëmundje të rënda dhe që kurimi i tyre kushton shtrenjtë. Në Policinë e Tiranës janë denoncuar 25 raste të tilla vetëm gjatë vitit 2022, të cilat janë referuar në prokurori dhe kjo e fundit vijon hetimin për zbardhjen e tyre.