Për herë të parë, pas 12 vitesh kanë dalë përgjimet e para në radio të komunikimeve që kanë bërë drejtuesit më të lartë të Gardës para se të vriteshin 4 persona. Ditën e sotme një video ekskluzive nga “Xhungël.al”, Artan Hoxha ka zbardhur bisedën e Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës, me vartësit e tij, të cilët qëlluan drejt protestuesve.

Por kush komunikoi në radion speciale, tek e cila jo të gjithë mund të dërgonin mesazhet e tyre?

Kodi i radios ishte “202 i Tufanit”!

Në përgjimet dëgjohet zëri i Ndrea Prendit, komandanti i atëhershëm i Gardës së Republikës; Zv/komandantit të gardës, Artan Hoxha; Komandantit të Njësisë Speciale të Gardës majorit Alfred Ahmetcanaj; dhe vetë asokohe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. E megjithatë ka edhe emra ende të “po çkoduar” si psh: “260 i Luanit”; “I panjohuri”; Martini, mbiemri i të cilit nuk del.

Sipas Artan Hoxhës në radio ka pasur akses edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Saimir Muça, i cili ka dëgjuat gjithashtu urdhërin e dhënë për vrasje.

Më 21 janar 2011, opozita e asaj kohe (PS), lajmëroi protestë pas skandalit me videon Ilir Meta- Dritan Prifti, ku flitej për “7%” e një koncesioni. Teksa po protestohej para Kryeministrisë, për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite heqje lirie.