E kanë quajtur gjithnjë si “Zonja e këngës shkodrane” dhe karriera e saj në muzikën popullore po i mbush 50 vite dhe sukseset i ka të shumta.

Në shtëpinë e artistes Mukades Çanga duket sikur edhe muret që e rrethojnë “flasin” përmes fotografive që qëndrojnë varur me kujtime të shumta nga karriera e saj, e mbushur me nderime dhe vlerësime ndër vite.
Këngëtarja e njohur i kujton shumë mirë fillimet e saja në skenë si dhe personat që e kanë mbështetur atë.Përveç sukseseve, ka patur edhe momente të vështira por Mukades Çanga ka ditur gjithnjë t’i përballojë ato.

Mbështetja e bashkëshortit të saj, Sabah Baxhës ka qenë e vazhdon të jetë gjithnjë e madhe.Karriera e saj gjysëm shekullore u vlerësua në fund të vitit që lamë pas përmes një VKM që i jep disa figurave dhe personaliteteve me një kontribut të veçantë në fushën e artit, mes tyre dhe këngëtares, pension të veçantë nga shteti.

Artistja shkodrane ndihet falenderuese ndaj të gjithëve që e kanë përkrahur atë.Mukades Çanga mbetet shembulli i një artisteje aktive në të gjitha veprimtaritë artistike të trupës profesioniste dhe të shumë të tjerave ku ajo vazhdon të marrë pjesë dhe që organizohen në Shkodrën e saj, së cilës me aq pasion i këndon.