Lëkundja e mbrëmshme e tërmetit me magnitudë 4.7 ballë të shkallës Rihter, me epiqendër në Klos, janë pasuar nga pasgoditje deri në orët e para të mëngjesit. Që pas lëkundjes me magnitudë 4.7 ballë, janë regjistruar 8 pasgoditje, intensiteti i të cilave ka qenë në ulje të vazhdueshme. Pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar në njësinë administrative Xibër të Klosit dhe magnituda nu ki kalon 2.7 ballë.

Qendra Kombëtare e Emergjencave Civile ka bërë me dije gjatë mbrëmjes së djeshme se tërmeti ka shkaktuar dëme të vogla materiale kryesisht në njësinë administrative Xibër të Klosit ku ka qenë edhe epiqendra. Në një pallat të Bulqizës të dëmtuar nga tërmeti i 2019-tës, u raportuan plasaritje të shtuara dhe banorët e kaluan mbrëmjen tek të afërmit e tyre.

Lëkundjet e forta janë ndjerë në Klos, Tiranë, Lezhë, Fushë-Krujë, Durrës, Elbasan, Shkodër, si dhe Pogradec.

Sizmiologu, Rrapo Ormeni tha gjatë mbrëmjes së djeshme për Report TV se tërmeti ishte i zakonshëm për zonën ku u regjistrua dhe gjithashtu tha se priteshin edhe pasgoditje por theksoi se nuk ka vend për panik.

Korrespondentët e Report TV raportuan situatën në qytetet ku janë ndjerë lëkundjet, duke bërë me dije se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar përveçse dëme të vogla materiale.

Në qarkun e Dibrës, ku edhe ishte epiqendra e tërmetit, konkretisht në Klos, u raportua për dëme të lehta në disa banesa, kryesisht plasaritje muresh si dhe në disa oxhaqe.

Në Tiranë nuk raportohet për dëme materiale, por lëkundjet e forta kanë krijuar panik tek banorët, një pjesë e të cilëve dolën nga banesat.
Në Elbasan, lëkundjet janë ndjerë të lehta dhe nuk ka pasur dëme në banesa.

Në Shkodër lëkundjet janë ndjerë të lehta në katet e sipërme të pallateve dhe nuk raportohet për dëme.

Në Durrës tërmeti është ndjerë i lehtë, por nuk ka shkaktuar panik tek banorët.

Në Lezhë pavarësisht se u ndjenë lëkundjet sizmike që shkaktuan frikë dhe panik tek qytetarët një pjesë e të cilëve kanë dalë nga banesat, nuk janë raportuar dëme materiale.