Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama nga Shkodra, teksa përkujtonte 33-vjetorin e demonstratës antikomuniste në këtë qytet. Paloka tha se Rama kërkon që të marrë edhe Shkodrën, ndërsa shtoi se ka më shumë pushtet se Ramiz Alia në atë kohë.
Sipas Palokës, sot jemi ende në kushte kur diktatura është kthyer në gjitha format e saj.
Paloka mes të tjerash tha se më 14 maj nuk është betejë thjeshtë për Shkodrën, por është shumë më shumë se aq.
“Shqipëria ka nevojë për Shkodrën. Ka nevojë për djem dhe vajza që ta ndryshojnë historinë sepse sot për fat të keq kemi prapë në krye pinjollët e bllok. Jo rastësisht Edi Rama i ka mbledhur rreth vetes, ai është vetë një këlysh i bllokut, e ka për nder dhe krenari që është këlysh i bllokut. Pavarësisht se përpiqet herë pas here të ndryshojë historinë dhe të dalë sikur ka qenë protagonist i ndryshimeve por jo. Ka patur një grup aty brenda komunistëve ndër të cilët ishte edhe babai i Edi Ramës, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor që firmoste edhe në ’89 pushkatime poetësh. Ka patur një tentativë për ta mbajtur regjimin duke ndryshuar brenda vetes, duke ndryshuar gjoja atë pjesë injorante të byrosë politike dhe për të nxjerrë disa komunistë të rinj siç ishin këta i ati i Edi Ramës, Kiço Blushi apo ndonjë tjetër dhe për fat të mirë kjo tentativë dështoi. Regjimi u përmbys nga rinia. Sot jemi ende në kushte kur diktatura është kthyer në gjitha format e saj. Nuk na pushkatojnë më në kufi, as nuk na fusin në burgje për bindje politike por është e njëjta situatë. Kemi media por nuk janë të lira, janë nën dhunën e qeverisë. Kemi parti politike por ky mostër që është në krye të qeverisë ka për borxh deri edhe opozitën, edhe deputetë të opozitës, edhe ambasadorë, edhe ndërkombëtarët për të marrë gjithë këto pushtete në dorë. Ka më shumë pushtet se Ramiz Alia në atë kohë. E shihni tentativën e fundit të tij, kërkon të marrë edhe Shkodrën, jo pa qëllim po i bën gjithë këto lëvizje, kërkon të thyej edhe bastionin e antikomunizmit për të çuar në vend një amanet të baballarëve të tyre. Nuk është se i duhet një bashki më shumë, jo por me Shkodrën e ka kunjën pikërisht se është antikomuniste dhe kërkon ta rikthejë gjithë historinë mbrapsht për të thënë; ‘ja unë e mposhta edhe bastionin më të fortë të antikomunizmit në Shqipëri’. Prandaj sot gjithë shkodranët pavarësisht pakënaqësive na takon të jemi të bashkë. Me 14 maj nuk kemi betejë të lehtë, nuk është betejë thjeshtë për Shkodrën, jo, është shumë më shumë se aq. Nga Shkodra duhet të fillojë historia e komunizmit dhe diktaturës të re”, tha Paloka.
Comments are closed.