Nga Sven Aurén
Përkthyer nga Adil N. Biçaku
Pjesa e njëzet e katër
Land af Albania! Let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men.
Lord Byron.
Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.
Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.
Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.
Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.
Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.
Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.
Me shumë respekt
Adil Biçaku
Vijon nga numri i kaluar
GJARPËRUSHJA DREDHON DREJT VERIUT
Numri i banorëve të saj jepet deri 30.000, por besohet se më përpara ka qenë shumë më e madhe. Qyteti është në fakt një madhështi e rrënuar. Gjatë kohës Turqisë, Shkodra funksiononte si kryeqyteti i provincës shqiptare dhe luante një rol shumë të madh ekonomik. Por me gjithë përpjekjet e zellta, Shkodra nuk i’a arriti të luaj edhe rolin e kryeqytetit të Monarkisë. Shkodra u degradua në një qytet fare të zakonshëm shqiptar. Mbreti Zog u vendos në Tiranë.
Banorët e Shkodrës, kurrë s´kanë arrit me të vërtetë ta përtypin këtë zgjedhje të qytetit të rezidencës dhe ndiejnë një zili të konsiderueshme, mbi atë situatën, që Shkodra, aq e degraduar sa ç´është, por në fakt jep një përshtypje më impresionuese dhe perëndimore, se sa kryeqyteti zyrtar. Shkodra ka mjaft, nga ato që nuk ka Tirana: një bulevard, përreth me shtëpi, me të vërtetë të rangut qytetit, disa kafe të mëdha, të stilit francezo-austriak, një shëtitore bregdeti të shkëlqyeshme dhe të bukur. Edhe përsa i përket, asaj orientale, Shkodra është superior, ndaj Tiranës. Në Shkodër ri gjendet pazari më i madh dhe më i rëndësishëm i Shqipërisë.
Në pyetje për tradita, Shkodra është aristokraci, që e sheh me përçmim Tiranën e sapolindur. Në antikën, Shkodra, quhej ‘Scodra’ dhe liqeni i madh Labeatis e këtu një herë në botë, kishte rezidencën Mbreti ilir, Genc. Në vitin 168 p.e.r., qyteti u pushtua nga romakët, nën udhëheqjen e Ankikius dhe Cezar Diokleciani, e caktoi për kryeqytet të provincës Prevalisë. Më 395 e.r.e., u bë pronë e Bizantit, dhe kështu pasoi një periudhë nën regjimin e sllavëve të jugut, pastaj venecianët e blenë qytetin nga ndonjë princ malazez dhe ngriti fortifikata të ndryshme dhe ruinat e të cilave, ndodhen ende. Më vonë erdhën turqit dhe pastaj kaos.
Dhe më vonë Shkodra më në fund, bëhet shqiptare prapë, e cila pra s´ka qenë, që nga koha e Mbretit Genc. Duke u bazuar nga historia interesante, duket se spekulimet arkeologjike të autoriteteve, janë mjaft me baza. Pse nuk mund të ofroj Shkodra, mundësitë për një ekspedicion arkeologjik? Ngrihet pyetja në Tiranë dhe tregon fakti, se qyteti kurrë s´ka qenë objekt, për disa studime të dëshiruara arkeologjike. Ashtu sikurse shumë qytete të tjerë shqiptar, emri i të cilës, përmendet shumë shpesh nga historianët e antikës.
Por do të jetë me gërmime, që do të mundësojnë të zbulojnë disa sende historike dhe artistike të rëndësishme në Shkodër. Syri i jabanxhiut, nuk kap kurrgjë në këtë drejtim. Qyteti ka duruar aq shumë pushtime, aq shumë herë shkretime, zjarr dhe plaçkitje, që asgjë s´ka mbetur nga monumentet historike. Romakë, turq, malazez, serb, venedikas, austriakë, të gjithë kanë shumë gjynahe. Ai ndërtim, që është Shkodra e sotshme, nuk është i vjetër. Ai vjen kryesisht prej viteve 1800, me një ose dy elemente të parëndësishme, nga shtëpi të viteve njëmijë e shtatëqind, të cilat kanë pas fat, të mbijetojnë gjithë atë shkatërrim.
Një xhami e vjetër turke, që me kopshtet dhe kubat e saj, jep asociacione me Kostandinopojën, që u takon ndërtesave më interesante për të parë. Por fatkeqësisht edhe kjo, është në rrugën e zhdukjes. Ajo gjendet në qosh të qytetit dhe shumë afër liqenit. Çdo vjeshtë përmbytet nga uji, futet brenda në banesën e Allahut dhe ngjitet përpjetë, në muret e bukur të pllakave qeramike dhe shkallëve të imamit, është vetëm çështje kohe, kur xhamia e vjetër, do rrëzohet fare.
Përmbytjet kanë pasur, të paktën indirekt, pasoja shkatërruese edhe në një pikëpamje tjetër. Kur niveli i ujit të liqenit shkon në atë normalen, mbeten një numër i madh gropash me ujë, në të cilat rriten dhe shtohen mushkonjat. Vetëm para disa dhjetëvjetësh, ishte e gjithë kjo pjesë e qytetit e infektuar nga malaria. Por me anë të punës energjike të institutit ‘Rockefeller’, vatrat e mushkonjave, kanë mund t’i prishin në masë të madhe dhe para pak kohe, ndërmarrja e kontrollimit na dha në dorë një raport, ku numri i fëmijëve të infektuar, nga malaria, ka zbritur prej 40 përqind, në 8.
Është shumë e çuditshme, që vetëm kjo pjesë e qytetit, është nën rrezikun e malaries. Pjesa tjetër e Shkodrës, është në të gjitha pikëpamjet, vend i shëndetshëm, me një ajër të pastër e të këndshëm. Përveç saj, në sezonin e lartë të verës një qytet i freskët, i cili të paktën për të huajin, ka mjaft domethënie. Por kur unë them, se syri i të huajit nuk kap asgjë, nga kujtimet e kohëve të kaluara, unë mund të shoh, se si ciceroni im letrar, merr një pamje pakënaqësie në sy.
Ruinat e kështjellave në majë të Rozafatit! Është e vërtetë: kështjella e madhe në Rozafat, meriton të përmendet. Rozafati është një nga malet e shumta, që rrethon Shkodrën dhe në majë të tyre, duken mure të mëdha bojë gri, që akoma kanë mbetur prej kalasë, së rëndësishme të asaj kohe. Qenë venedikasit, të cilët e ndërtuan këtë fortesë dhe pastaj zotërinjtë e shumtë të qytetit, kanë ngritur dhe përmirësuar se cili me radhë.
Në vitet 1870, kjo shërbente për turqit, si një nga veprat më të forta të mbrojtjes. Por kushdo që të ketë qenë sunduesi i kështjellës, kjo përherë ka përmbush një funksion të dyfishtë: ka shërbye edhe për të mbajt zaptuesit larg edhe për të mbajt banorët e Shkodrës në shah, të cilët gjithnjë çuditërisht e kanë pasur të vështirë, për të harruar kombësinë e tyre shqiptare.
Por tani kjo kështjella gjigante, nuk strehon më ndonjë garnizon shumë të armatosur. Ajo s´është gjë tjetër, veç se një gjigant me grumbull gurësh kaotik, ku garnizoni është zëvendësuar nga mijë dhe zogj. Ai që beson, se ky kaos gurësh, është rezultati nga një fitore sulmi armiku, bën gabim të madh. Shembja e kalasë lidhet me shkaqe krejt tjera dhe shumë më tragji-komike. Mundesh me thënë, se është faji i Beniamin Franklinit, që kështjella e Rozafatit, është veç një grumbull ruine dhe kurrgjë tjetër më.
Guvernatori, që rezidonte më 1874-ën, në Shkodër kishte dalë prej rrethit të reformatorëve të zellshëm, të turqve të rinj. Në cilësinë e turku të ri, ai mendoi që është obligimi i tij, që në një ose tjetër formë, të lër një dëshmi praktike, për dashurinë e tij për reforma dhe sikur kishte dëgjuar, se një far Franklini, për afërsisht, njëqind vjet përpara, kishte shpik një aparat me të cilin mundesh, me i devijuar goditjet shkretuese të rrufesë, kështu që ai vendosi, që edhe në Shkodër të futej në përdorim, një aparat i tillë.
Por guvernatori u pendua, në një far grade për vendimin e tij, kur mori të dhënat, se sa kushtonte një rrufepritëse. Si shumica e kolegëve të tij, në administratën turke, ai ishte me të vërtetë saraf. Por e llogariti, se mundej të bënte një kompromis: do të kënaqej me shufrën e hekurit dhe me topin e verdhë. Sipas mendimit të guvernatorit, sigurisht ajo pjesë e rrufepritëse, që lidhte shufrën në çati me tokën, ishte fare e panevojshme.
Tani mbeti pra vetëm të gjendej një vend i përshtatshëm, për rrufepritësen e parë të Shkodrës. Guvernatori mendonte këtu e aty dhe vendos kështu, që aparati do të vihej në atë kalanë e lartë, me pozitën e mrekullueshme, më ekzakt në çatinë e magazinës se municionit. E thënë e bërë. Nën interesimin e pjesëmarrësve prej gjithë qytetit, u montua rrufepritësja në vendin e caktuar nga guvernatori. Turqit e rinj brohoritën, turqit e vjetër, tundnin kokën me dyshim, ushtarët thirrën: rroftë guvernatori ynë turk!
Pas saj priste guvernatori reformë-dashës, me shumë padurim që të shpërthente stuhia, por vonoi tri javë, deri sa dëshira e tij të plotësohej. Por atëherë i’u plotësua me të vërtetë. Nga dritarja e Pallatit të tij në Shkodër, mund të shihte retë e errëta kërcënuese, të lundrojnë mbi majën e Rozafatit. Befas vetëtini, po ashtu edhe një herë, dhe po në atë çast, pa guvernatori se si vetëtima thithet nga ajo rrufepritësja elegante.
Kur banorët e Shkodrës, pas qetësimit të motit, me mijëra vërshuan përpjetë për në kështjellë, ata ende i kishin veshët të shurdhër. Por ata mundën të konstatojnë, se ç’ka kishte mbetur e pa dëmtuar nga kështjella madhështore e Sulltanit, nuk do të mund të kishte ndonjë dobi më. Ata nga ata që ishin turq, u mblodhën përjashta Pallatit të Guvernatorit, zunë pozicione aq kërcënuese dhe reformatori i madh, dha urdhër për të bërë valixhet gati. Ata që ishin shqiptar, reaguan ndryshe. Ata ranë në gjunjë dhe përkulën kokën nga Mekja, lavdëruan Allahun, për të mirat e tij dhe Beniamin Franklinin, për shpikjen e tij.
Asnjëherë nuk u morën masa efektive, për ta riparuar atë e cila ishte njëherë kështjellë aq e rëndësishme! Rreth fund shekullit, filluan të mbarohen paret e arkës shtetërore turke. U duk edhe më vështirë, të mblidhnin taksa nga nënshtetasit shqiptar, të cilët e kuptuan pozicionin e dobët të shtetit turk. Kalaja e Rozafatit mbeti ruinë. Përkundrazi synuan të përforconin një mal tjetër të Shkodrës, të famshmin Tarabosh, që shtrihet gjatë krahut të jugut, të liqenit të Shkodrës.
Në Tarabosh, artileria pati një pozicion të shkëlqyer dhe ishte ky mal, që i shkaktoi Mbretit Nikolla, telashet më të mëdha, gjatë rrethimit 1912-1913. Edhe në Mbretërinë Shqiptare, Taraboshi përmbush gjithnjë funksion të rëndësishme ushtarake. Përveç anës së vlerës tij strategjike edhe për Mbretin Zog personalisht, ka qenë i rëndësishëm. Pamja prej Taraboshi, është një nga më të bukurat në Evropë dhe këtë rrethanë, Mbreti e ka frytëzuar për të ndërtuar një vilë për vete, në shpatin e malit.
Nën drejtimin energjik të Koliqit, bëra një vizitë në Rezidencën Mbretërore dhe u impresionova shumë, nga tarracat e shtrenjta dhe dhomat e bukura. Në atë rast, dhomat ishin bosh dhe grupe punëtorësh merreshin me heqjen e tapiceve kadife dhe dyshemenë. Arkitekti i Mbretit, nuk e kishte kuptuar siç duhej punën e tij. Lagështia po bënte, që puna e ndërtuesve të ishte e kotë.
Unë përmenda, se Shkodra bën një përshtypje si më moderne, më qytetare se Tirana. Gjatë një periudhe të shkurtër, 1913-1914, Shkodra ishte një qytet, jashtëzakonisht kontinental. Pasi Nikolla u detyrua të marri rrugën dhe superfuqitë, së bashku morën administrimin e Shkodrës, kështu u vërsulën trupat gjerman, anglez, francez, austriakë dhe italianë, brenda në qytet, i cili u nda në një radhë rajonesh të ndryshëm. Qyteti malor shqiptar, u bë papritmas një metropol internacional.
U bë aq internacional, sa emrat e rrugëve u ndërruan dhe shkodranët e çoroditur, përballeshin me tabelat e rrugëve, të porsa lyera si: “Rue Edouard VII”, “Rue Leipzig”, “Rue Garibaldi”. Por gjatë neutralitetit të rreptë, i’u dhanë shesheve dhe vendeve të hapura, emra të natyrës më të përgjithshme dhe të kënaqshme për gjithë palët. Ushtarët e pesë vendeve, shëtitnin në “Place des Marins” dhe “Place des cinq Nacions”. Por ngjau dhe katastrofa e Sarajevës, me valët e lumit të vuajtjes kombëtare. Ushtria e përbashkët në Shkodër, u shndërrua në armiqësi, urrejtje dhe kaos.
***
Prej divaneve të vjetra kadifeje, të kafes së hotelit dhe qiejve të tymit të ngjeshur të duhanit, dalim jashtë në rrugën kryesore të Shkodrës, e cila është bulevardi shqiptar, që e meriton emrin bulevard. Këtu trotuaret e gjerë, janë të rrethuar nga shtëpi të rregullta guri, dyqane të mëdhenj, radhë drunjsh të gjelbërta dhe të gjatë. Këtu një europjan i përkëdhelur, ndjenë se ndodhet në një qytet të vërtetë. Koliqi, vë re përshtypjet në shprehjen e fytyrave tona dhe më jep mua, një shikim shumë domethënës. S´është e vërtetë, Shkodra, duhet të ishte kryeqyteti i vendit! Thotë ky shikimi.
Të nisesh thjeshtë nga pamja prestigjioze ai ka të drejtë. Por ai e di edhe (edhe pse është patriot i flaktë lokalist, kurrë s´do ta pranonte atë), se Mbreti Zog, nuk ishte në gjendje të ndiqte disa motive estetike. Monarkia nuk lindi në një kohë, ku kishte kohë në Shqipëri, të mendohej për estetikë. Miku ynë vërshëllen befas, dhe një karrocë madhështore, qëndron pranë qoshit të trotuarit.
-Si është e mundur, që ka kaq pak njerëz? Pyeta unë kur u nisëm poshtë në rrugë, ku dy oficerë përbënin gjithsej publikun në rrugë. Që janë pikërisht dy oficerë, në fakt s´është ndonjë gjë për t´u habitur. Nga shtetasit shqiptarë, oficerët janë ata, të cilët kanë shumë kohë për shëtitje.
-Është ditë pazari, thotë Koliqi. Të gjithë njerëzit, kanë shkuar në pazar. Edhe ne, do shkojmë atje. Ngaje më shpejt, karrocier! Burri lart në poltron i bie kafshës së dobët me kamxhik. Bulevardi mbaron në një shëtitore të gjatë bregdetare dhe atje, ku ura e vogël mbi Bunë, lidh Shkodrën me kodrat e Taraboshit, shoh grumbullin e ndërtesës së pazarit, të ngrihet lart mbi tokë. Pazari i Shkodrës, është më i madhi i Shqipërisë. Ai përbën afërsisht 2 000, tezga tregu dhe është një qytet më vete. Një qytet puro oriental. Udhëtimi i shkurtër prej hotelit tonë, për në këtë vend pazari, është një rrugë ndërmjet oksidentit dhe orientit.
Edhe qyteti i pazarit, ka një rrugë kryesore, ose më mirë me thënë, përbëhet kryesisht, pikërisht nga një e tillë: një rrugë shumë e gjatë dhe shumë e ngushtë, aty këtu e ndërprerë prej rrugësh kryq dhe e rrethuar nga shtëpi të vogla të bardha, një katëshe me çati tjegullash të kuqe. Nën çatitë, varen strehe primitive dielli, prej dërrasash të mbërthyera dhe poshtë mbrojtëseve të diellit, janë hapur dyqanet, që kanë zënë gjithë shtëpinë. Krahu përpara nuk ka asnjë mur. Tregtarët ulen në dysheme dhe mallrat i mbajnë afër tyre. Ndoshta duhet të flas për ç’ka shitet këtu, në pazarin e Shkodrës, por është më lehtë të thuash se sa të bësh.
Pas fillimit marramendës, nga mijëra sende, që ofrohen për shitje, por pastaj ven re, një farë sistemi në gjithë atë katrahurë, i cili të ndihmon të kuptosh për artin e aktivitetit tregtar. Tregtar, që punojnë në të njëjtën zanat, kanë si zakon jerevitë e tyre i kanë pranë njëri tjetrit. Argjendarët dhe farkëtarët e armëve, rrinë ulur dhe bubërrojnë me çekiç dhe thikë, nga dyqani në dyqan, që më tutje të zëvendësohen nga radhët e tregtarëve, të pëlhurave me ngjyra të shkëlqyeshme. Dyqanet e mobileve, pa marrë parasysh aludimet moderne, që aq kollaj lidhet me këtë fjalë, të tërheq me djepe të lyera dhe të palyera, frone dhe orendi të ndryshme kuzhine prej druri dhe metali.
Dhe tashti vjen pazari i zarzavateve, atje nuk mund të afrohesh, prej ushtrive të dhenve dhe dhive, dhe tregu i kuajve, ku mundesh me u bë pronar i një kali shale shqiptar, që përsa i përket madhësisë, është në kufi të kalushit. Ka bile edhe një “rrugë tregu sandalesh”, dhe kjo s´është më pak interesante, në këtë qendër zhurmuese tregtare. Në rrugën e pazarit të sandaleve bëjnë opinga, kështu është emri i këtyre këpucëve speciale shqiptare, të cilat duken si pantofla dhe që përbëhen nga një shollë dhe një lidhëse përsipër prej spangoje dhe copa të bukura stofi. Donë njëri me dit, pse Shqipëria ka një import aq të madh gomash automobilash jashtë përdorimit, duhet të pyeten opingarët e Shkodrës. Ose nuk ke nevojë të pyesësh: atje janë ulur njëri pas tjetrit, me grumbuj gomash makinash përreth dhe presin shoje, të cilat do të shkelin malet shqiptare. Janë praktike, të lira dhe kollaj t´i riparosh.
Në se këtij aktiviteti tregtar i shton nja njëqind e ca kolibe të shpërndara, që kanë xhamadanë të qëndisur me ar, hajmali mbajtëse, mall duhani, unaza dhe sapunë në paqeta të bukura, kështu ke një perceptim të dobët, nga se çfarë ka për të blerë në qytetin e pazarit të Shkodrës. Një ide shumë të zbehtë. Unë besoj se do të mundsha të bridhja vërdallë, një javë në këtë shoqërinë tregtare orientale dhe gjithnjë të zbuloja, sende të reja dhe befasuese. Në fakt ka edhe nga ata, të cilët bredhin vërdallë me javë: jugosllavë që mbledhin vepra artistike antike, por për ta do vi prapë.
Por se çfarë para së gjithash të magjeps, pasi ke hyrë brenda rrethit të pazarit të magjistarëve, s´janë veçoritë dhe larmishmëria e dymijë dyqaneve. Janë njerëzit. Kur ne arritëm në Pazar, rruga e gjatë ishte një dallgë deti njerëzish dhe në pamjen e këtij deti, u detyrova të ndal për një çast, para së të zbres prej karrocës. Kjo nuk mund të jetë e vërtetë! Mendova unë. Romantika shqiptare po më bën të shoh gjëra inekzistuese apo po më bëjnë sytë!
Unë nuk di mirë se si do ta përshkruaj pamjen time. Por imagjinoni, që një numër i madh përfaqësuesish, me rrobe ma piktoreske të shteteve të rruzullit tokësorë, të mblidhen në një vend të vogël e të ngushtë. Imagjinoni një turmë njerëzish, ku çdo individ, është veshur më një kostum me ngjyra fantastike dhe prerje fantastike, dhe ku secila veshje, ndryshon nga tjetra. Pastaj mendoni, që ju shikoni këtë grumbull ngjyrash që kishte si një copë nga ylberi i shtrirë, përpara këmbëve tuaja. Merreni me mend më tej…jo, unë heq dorë! Nuk i’a vlen. Teatri në pazarin e Shkodrës, është një mrekulli. Por kush e bën edhe më të madhe mrekullinë, është se turistët e etur për atmosferë të botës, ende nuk u ka rënë në sy, ky pazar. Pazari në Shkodër? Çfarë gjëje është Shkodra?
I mahnitur vështroj atë tablonë e mrekullueshme: atje ecin malësorët, që kanë kalëruar poshtë prej alpeve të tyre, të veriut shqiptarë, tipa të mrekullueshëm me trup të drejtë në rroba të bardha lesh dele, të zeza, të gjëra, xhamadanë pa mëngë dhe qeleshe të bardha, të cilat kanë formën e një koni. Gratë prej katundeve nga Malësia, kanë flokët e zi në blu, që shkëlqejnë nga vaji, të krehura me thekë në ballë dhe i kanë lëshuar të zgjidhura pas shpine. Rreth mesit, pispillosen me ato çaprazet e mëdha dhe nizamçe serm dhe thumba kallaje.
Çorapet e trashë, bojëra të forta, humbin në opingat me lustër të kuqe. Ato shkojnë të zbuluara, sepse fshatarët e Shqipërisë së veriut, janë zakonisht katolikë. Por banorët e qytetit janë muhamedanë, dhe prandaj sheh midis popullit të pazarit shumë gra, të cilat kanë “la partie honteuse” shumë të mbrojtura, pas shamive të bardha dhe të zeza. Përveç kësaj, ato janë të mbështiellura me lloj lloj copash stofrash, të cilat janë vënë që, nuk mund ta shohësh se ku fillon ndonjë rrobe ose ku mbaron. Janë dengje rrobash të gjalla, të cilat kalojnë përpara me pantofla pa taka. Memorie.al
Comments are closed.