Krahas objektivit për 45 bashki, Shkodra do të jetë një nga betejat më të rëndësishme të Partisë Socialiste në garën e 14 majit. Për të marrë kryeqendrën e veriut, e njohur ndryshe edhe si bastion i demokratëve, kryesocialisti Rama ka mbledhur forcat përtej PS për të fituar një nga bashkitë që ende nuk e ka gëzuar politikisht.
Kontaktuar nga A2 CNN, Tom Doshi konfirmoi se partia e tij në zgjedhjet vendore nuk do të dalë me kandidat të saj në Shkodër, por do të mbështesë kandidatin e PS. Edhe pse ende nuk kemi një zyrtarizim të kësaj kandidature, drejtuesit socialistë e kanë konfirmuar që deputeti Benet Beci është figura me të cilën e majta do të kërkojë drejtimin e kësaj bashkie.
Qëndrimi i socialistëve që në këto vendore do të shkojnë të vetëm pa bërë koalicion, ka pësuar disa ndryshime në këtë bashki.
Edi Rama përveçse mbështetjes së Partisë së Tom Doshit, e cila nuk i ka munguar as gjatë punës parlamentare, për betejën e Shkodrës ka kërkuar përforcime edhe nga kampi kundërshtar.
Pas largimit nga Partia e Lirisë, deputeti Agron Çela u shfaq në krah të kryeministrit, në një takim të thirrur nga Edi Rama me njerëzit e tij për të diskutuar strategjinë e qeverisjes në këtë qytet.
“Shkodra na bashkon – Me deputetët e Shkodrës për ecurinë e projekteve zhvillimore të këtij mandati qeverisës me Fondin Shqiptar të Zhvillimit”, shkroi Rama një ditë më parë në Facebook.
Comments are closed.