Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë me dije se edhe pse në zonat malore kanë nisur reshjet e dëborës, nuk ka asnjë problem për qarkullimin e mjeteve.
Bëhet fjalë për zonat në Dardhë, Lezhë-Vaudejes, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh. Megjithatë ARRSH kërkon nga shoferët që të pajisen me goma dimërore dhe të qarkullojnë me shpejtësi të ulët, në mënyrë që të mos kenë probleme me drejtimin e mjetit në një mot të tillë.
“Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit në zonat malore kanë filluar reshjet e dëborës si në Dardhë, Lezhë-Vaudejes, Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, pa sjellë probleme për qarkullimin. Kontraktorët me mjete e punëtorë janë në terren për të bërë pastrimin e akseve, shpërndarjen e kripës dhe për të mbajtur qarkullimin në normalitet.
Tregoni kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit në kohë me reshje, pajisuni me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtoni për në zonat malore, ulni shpejtësinë, respektoni sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore,”-shkruhet në njoftimin e ARRSH.
Comments are closed.