Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar nga grupi parlamentar 4 deputetë të tjerë, që janë mbështetës të Sali Berishës. Më konkretisht bëhet fjalë Tritan Shehun, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçin dhe Agron Shehajn, për të cilën është njoftuar edhe Kuvendi. Një vendim i tillë sipas njoftimit zyrtar vjen pasi 4 deputetë nuk kanë reflektuar për aktet e dhunës ndaj selisë së PD-së në protestën e 8 janarit. Ato ishin pezulluar më herët nga Basha, e ndërsa me firmën e Alibeaj janë përjashtuar nga grupi.
“Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, sipas vendimit nr.1 dhe nr. 1/1, datë 10.01.2022 të Kryesisë së Partisë dhe konfirmimit të Këshillit Kombëtar dhe Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike në mbledhjen e datës 15.01.2022, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. Për këtë qëllim, është njoftuar zyrtarisht Kuvendi i Shqipërisë që deputetët Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj nuk janë më pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke filluar nga data 11.01.2023”, thuhet në vendim.
Përjashtimi i 4 deputetëve të tjerë pritet të thellojë edhe më shumë përçarjen e Partisë Demokratike, mes grupit të Alibeajt dhe të Sali Berishës. Më herët janë përjashtuar Flamur Noka, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe Luan Boçi.
Comments are closed.