Kam ndjekur me interes njëfarë debati surreal këto ditë, kryesisht në mediat lokale rreth investimit që ka filluar në liqenin e Shkodrës për ndërtimin e tre moleve në Shkodër, Shirokë dhe Zogaj.


Debati i sforcuar nga PD-ja Shkodër, me gjasa e nervozuar nga vizita në këtë investim të gjetur e deputetit socialist, (dhe me sa duket kandidat për bashkinë Shkodër) Z. Beci, rrotullohej rreth faktit nëse kishte apo jo të drejtë deputeti Beci për të vizituar investimin. Argumentet e paraqitura nga PD-ja Shkodër dhe nga stafi i Bashkisë ishin thuajse identike:

 

Së pari, ky projekt është me fonde të Bashkimit Evropian dhe si i tillë qeveria dhe deputeti Beci nuk kanë asnjë meritë për alokimin e këtij investimi në Shkodër.

 


Së dyti, megjithëse Fondi Shqiptar i Zhvillimit është zbatues i këtij projekti, Z.Beci nuk ka të drejtë të përvetësojë këtë investim si ish drejtues i dikurshëm i FSHZH-së. Aludohet se në këtë projekt ka pasur rol më të fortë bashkia, por nuk kuptohet saktësisht se çfarë roli ka ajo në të vërtetë. Dhe në deklaratën e para pak ditëve nuk jepej asnjë e dhënë apo fakt, mbi peshën e bashkisë Shkodër në përvetësimin e këtij projekti, ku padyshim ajo është përfituese. Kjo është e rëndësishme të përmendet pasi i gjithë argumenti i qëndrimeve është një viktimizim i bashkisë, sikur Z.Beci po përvetëson investimet e Bashkisë Shkodër për të bërë fushatë.

Pa dashur të futem në këtë qerthull loje deklaratash politike, preferoj t’u referohem disa fakteve:

 


A është ky një projekt i financuar nga BE-ja? Po! Ky është një projekt strategjik i bashkëpunimit ndërkufitar financuar deri në masën 85 % nga BE-ja.

A ka rol Qeveria Shqiptare në këtë projekt? Po! Qeveria Shqiptare ka propozuar dhe ka rënë dakord në Sekretariatin e përbashkët me Italinë dhe Malin e Zi për një numër të kufizuar projektesh strategjike të bashkëpunimit ndërkufitar, ku hyn dhe ky projekt për lundrimin në liqenin e Shkodrës (ALMONIT).
Qeveria Shqiptare e ka propozuar dhe mbrojtur zyrtarisht dhe me sukses këtë projekt në territorin e bashkisë Shkodër. Në kohën e propozimit të projektit Ministër i Jashtëm dhe Integrimit në Qeverinë shqiptare ka qenë Z. Ditmir Bushati dhe mundet që natyrshëm si përfaqësues i Shkodrës të ketë bërë pjesën e vet të lobimit për miratimin e projektit. Qeveria Shqiptare gjithashtu bashkëfinancon nga buxheti i saj më shumë se 400 mijë Euro për këtë projekt.


A ka rol Fondi Shqiptar i Zhvillimit në përgatitjen e projektit? Po, FSHZH është propozuesi i projektit në emër të qeverisë shqiptare dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm paraprak konceptual e teknik për aplikimin e tij. FSHZH është partner udhëheqës në raport me BE-në, edhe pse në projekt ka partnerë rajone italiane (vend anëtar i BE-së). Si pjesë e zbatimit të projektit FSHZH ka financuar studimin batimetrik, projektin teknik, koston e zbatimit dhe supervizimin e punimeve.

 


A ka një rol Z. Beci në këtë projekt? Me një kërkim të thjeshtë në dokumente arrin të zbulosh që ky projekt është përgatitur dhe aplikuar për financim gjatë kohës që Z. Beci ka qenë drejtues i FSHZH; pra mund të thuhet që Z. Beci ka qenë ndër iniciatorët dhe zbatuesit kryesorë të projektit, siç është e vërtetë për një sërë projektesh të tjera disa të zbatuar e disa ende në letër në bashkinë e Shkodrës. (më poshtë faksimilja e dokumentit përkatës)


A ka pasur një rol bashkia e Shkodrës në këtë projekt? Po, bashkia e Shkodrës është partner i asociuar në projekt. Për dikë që e njeh labirintin e terminologjisë së BE-së, e di që një partner i asociuar është partner që nuk ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë në përgatitjen e projektit, në financimin apo në zbatimin e tij. Marrëveshja e këtij partneriteti është shenjë e një marrëdhënieje të pjekur institucionale dhe Qeveria nëpërmjet FSHZH e ka nënshkruar në kohën kur drejtuese e bashkisë ka qenë Zj. Voltana Ademi; çka për më tepër do të thotë se drejtuesit aktualë të bashkisë nuk kanë asnjë arsye të qenësishme për t’u shqetësuar. Këtë projekt administrata aktuale e ka gjetur gati dhe përgjithësisht ka patur rol vetëm “të tundë kokën” për materiale që i kanë ardhur të gatshme. Sigurisht Bashkia ka ndjekur procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit, çka përmendet me mburrje në deklaratën e PD-së Shkodër, por a është kjo diçka për t’u përmendur? Cila ishte alternativa tjetër? Të mos jepte leje për këtë investim të rëndësishëm publik?

 


Po i lë mënjanë të gjitha shpjegimet e hollësishme teknike dhe ju ftoj ta shohim pak më gjerë çështjen.
Mos duhet thënë shumë mirë që është bërë ky investim, në vend që të merremi me llafe politike të kota e të pafundme? Nëse ankohemi gjithë ditën që deputetët nuk po bëjnë asgjë për Shkodrën, pse po ankohemi gjithashtu kur merren me një punë konkrete? A presim nga deputetët interesim e punë për projekte zhvillimore për Shkodrën, apo presim hartime në parlament me ankesa e vetëviktimizim të tipit “qeveria urren Shkodrën…, nuk na duan ne shkodranëve” etj?

 


Është koha të ndahemi nga zhurma politike pa bereqet e të bashkohemi në ato projekte që çojnë Shkodrën përpara.

 


Duket qartë se të gjithë biem dakord se ky projekti i lundrimit është një projekt i tillë, ndaj le t’i përqëndrojmë energjitë në projekte të tjera e të përpiqemi të bëjmë çka bashkitë e tjera kanë realizuar ndër vite. Është i pakuptimtë dhe i vjetëruar reagimi nervoz dhe i pakontrolluar i Partisë Demokratike Shkodër sa herë që ka një investim nga qeveria qendrore në territorin e bashkisë, ndërkohë që ka kalë beteje diskriminimin e pretenduar të qeverisë për Shkodrën. Do të ishte shumë më logjike të thuhej: po është investimi i duhur, le të përqëndrohemi ta bëjmë mirë, por ndërkohë kemi shumë projekte të tjera për t’u mbështetur, ku secili ka pjesën e vet për të bërë. Sikur bëri kryetari i bashkisë në mbledhjen për miratimin e buxhetit, ku kërkoi të majtë e të djathtë të lobonin për rrugën Shkodër-Lezhë.

 


Nga ana tjetër, është koha që fushata për bashkinë të jetë fushatë realisht vendore, me përplasje vizionesh dhe planesh konkrete, me synim që Shkodra të kapë kohën e humbur. Debate si këto që analizova më lart, krijojnë një mjegullnajë absurde, por me sa duket të qëllimshme për ta kthyer debatin e vlefshëm në një përplasje politike shterpë, nga e cila Shkodra nuk ka përfituar asgjë.
Duket se deri tani vetëm nje kandidat (dhe pse i pashpallur) është në linjën e fushatës vendore me vizion dhe propozime konkrete; të tjerët ende s’kanë ndërmarrë ndonjë hap e janë akoma për t’u dëgjuar. Ata në fakt bëjnë mirë të futen në këtë “mejdan” e ta marrin seriozisht, sa nuk është vonë, se me sa duket këtë herë vetëm Berisha nuk do të mjaftojë.