Një çift që dukej se kishte një përputhje ideale, në fakt nuk ishte aq e bukur sa shikohej nga sytë e të tjerëve. Jo deri ditën kur nga një palë syze të thyera, për të cilat thanë se po ziheshin kush do i rregullonte, doli që po grindeshin prej dy vitesh dhe po prej dy vitesh ata po bashkëjetonin në një klimë tejet të acaruar. Historia e dy të rinjve e nisur që në gjimnaz u kris përfundimisht ditën kur nga një verifikim rutinor në telefonin e bashkëjetuesit, E.T gjeti fotografitë nudo të një vajze të panjohur. Realisht ajo kishte jetuar për një kohë të gjatë nën frikën e ndarjes dhe etheve të xhelozisë pasi ajo kreu kërkime dhe u lut që i shoqi të hiqte dorë prej saj. Kjo gjë nuk ndodhi kështu që në fund ishte gruaja që u dorëzua. Ajo u dorëzua pasi kishin ndërhyrë për paqe të afërmit dhe pasi shkuan për pushime bashkë. E.T nuk hoqi dorë nga hetimi e as nga pyetja se kush ishte vajza me të cilën i shoqi e tradhtoi. Sidoqoftë ky i fundit tanimë do ti duhet të përballet me drejtësinë për akuzën e dhunës në familje, neni 130/a/1, pavarësisht se në fund të kësaj grindjeje në çift dhe arrestimit të tij, E.T thotë se u desh arrestimi që marrëdhënia të normalizohej.
E reja, e cila po ndjek studimet e larta, nisi kërkesën e llogarisë ndaj partnerit që jetonte me të me miratimin e prindërve të të dyja palëve disa kohë më parë. Ishin telefonatat e dyshimta që A.T kryente fshehtas dhe varësia nga telefoni që i dhanë studentes alarmin e parë. Duke mos rënë në sy se sapo kishte nisur investigimin, e reja vendosi të ishte më e vëmendshme.
“Në fillim i kapa telefonatat me një femër tjetër. Kjo ndodhi në korrik 2021 dhe në dhjetor të po të njëjtit vit patëm debat të fortë. Im shoq donte të ndahej dhe në këtë pikë u përfshinë edhe prindërit tanë. Martesa jonë është kryer pa celebrim. Në qershor 2022 në telefonin e A.T gjeta fotografitë e një vajze tjetër nudo dhe i kërkova shpjegime”,- detajon studentja për marrëdhënien që në fakt ishte krisur përfundimisht midis tyre. Megjithëse prindërit e të dyve u munduan të rikuperojnë diçka, ata nuk ja dolën dot mbanë. I dyshuari për dhunë nuk i ka dhënë askujt shpjegime për historinë paralele e madje sapo ka mbetur vetëm për vetëm me partneren, e ka goditur me grushta.
“Nuk bëra kallëzim dhe në raste të përsëritura sa herë kërkova përgjigje për atë tjetrën, nuk mora asnjë përgjigje”, ka deklaruar e reja.
Me gjithë gjendjen e vështirë midis të dyve, bazuar në kallëzimin e studentes, çifti u largua nga kryeqyteti gjatë muajit gusht për të qëndruar së bashku gjatë pushimeve verore. Por edhe në bregdetin e Sarandës ata nuk ju shmangën problemit të pazgjidhur që lidhej me identitetin e femrës tjetër.
“Dyshova se më tradhtoi sërish me atë tjetrën dhe kjo situatë u pasua me shumë dhunë. Nga janari deri në tetor 2022 kam tentuar disa herë të vras veten me medikamente, prerje venash dhe madje në një rast kam dashur t’i marr armën burrit por nuk arrita ta realizoj dot vetëvrasjen. Përfundimisht ndarja jonë ishte e pashmangshme. Në tetor duhet të linim shtëpinë me qira. Unë do ikja tek shoqet kurse im shoq tek të afërmit”, denoncon studentja që përfundimisht nuk e toleroi dot dhunën ditët e fundit të ndarjes.
“Në një nga këto ditë patëm sërish debate dhe grindje dhe gjendja u rëndua. Ai erdhi tek shtëpia ku qëndroja dhe u agravuam në dhunë, rrahje e fyerje. Unë mora thikën për ta trembur dhe për tu vetëmbrojtur nga goditjes dhe ky reagoi duke më qëlluar me grusht, duke më thyer syzet. Unë i mora portofolin ku brenda gjendeshin 250 euro për të rregulluar syzet. Ai më kërkoi portofolin dhe kur e pa se nuk ia dhashë, mi theu syzet komplet”, shprehet denoncuesja në polici kundër partnerit i cili përfundoi në burg./GazetaSi