Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për 2 personat e arrestuar, si dhunuesit e drejtorit të OSHEE-së në Lezhë, Edmir Përndreca. Në seancën e sotme, Sebastjan Malotaj dhe Leonard Pepa, të dy 27 vjeç, akuzohen për plagosje të rëndë me dashje dhe goditje për shkak të detyrës ndaj Përndrecës, por asnjë prej të dyve nuk i ka pranuar akuzat e ngritura. E megjithatë gjyqtari Ilir Perdeda e cilësoi të ligjshme arrestimin e tyre dhe vendosi masën e sigurisë ‘burg pa afat’, duke marrë parasysh edhe kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati.

Pas vendimit, Edmir Përndreca foli për mediat duke u shprehur se nuk i njihte personalisht të rinjtë që e dhunuan, por edhe njëherë nguli këmbë se goditja i ndodhi për shkak të detyrës. Megjithatë thekson se kjo ngjarje nuk do të ndikojë në punën e tij, veçse do ta itensifikojë atë.

“Goditja është për shkak të detyrës, absolutisht që po se nuk kam pasur probleme të tjera dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër veçse për shkak të detyrës dhe duke pretenduar gjithmonë që me treguesit kemi arritur në nivelet maksimale. Normale që prishen interesa dhe ndodh edhe kjo, qoftë edhe lëvizje punonjësish që prishin interesa dhe për ato. Edhe kjo, pjesë e kësaj është. Jemi rikthyer në punë pa u tërhequr në asnjë moment për të zbatuar ligjin dhe për të bërë detyrën sepse prandaj jemi këtu. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me 2 të akuzuarit, nuk i kam njohur. Si do kisha problem me to? Falenderoj strukturat që vunë në vend dinjitetin e drejtuesëve. Besimin e kam të plotë që do të flasë vetëm ligji përderisa ka marrë një rrugë tjetër dhe nuk besoj se do të marrë rrugë tjetër. Nuk ka pasur incidente të kësaj natyre, është diçka ekstreme se nuk mund t’i dalësh një zyrtari kështu. Ka zyrë e komunikim, por jo rrugëve. Këto veprime nuk do të më pengojnë në punë. Do vijoj si më parë dhe me ritme më të shpejta për ta çuar arritjen e treguesve dhe perspektivat e mia deri në nivelet maksimale për sa kohë të jem në këtë detyrë,”-tha drejtori i OSHEE në Lezhë.

Ngjarja ndodhi më datë 30 nëntor, pas itensifikimit të kontrolleve të OSHEE, për vjedhje apo ndërprerje të energjisë elektrike ndaj abonteve debitor. Autorët besohet se kanë ndjekur lëvizjet e drejtorit të OSHEE dhe më pas i bënë pritë, duke i përplasur mjetin dhe më pas e qëlluan me sende të forta. Pas goditjes, 2 shoferët si dhe 2 pasagjerët e automjetit tjetër janë konfliktuar, të cilët e kanë dhunuar fizikisht drejtorin e OSHEE-së, duke i shkaktuar fraktura në kokë, krah dhe këmbë. Ai u mor nga autoambulanca dhe u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Lezhës, por për shkak të gjendjes së tij të rëndë, shkoi drejt spitalit të Traumës në Tiranë.