Teksa po afrohen festat e fundvitit, Policia e Shtetit ka marrë masa. Në njoftimin e sotëm është raportuar se janë shtuar masat për t’u siguruar që mbrëmjen e ndërrimit të viteve, të shtohet prezenca e forcave policore. E gjitha kjo për të shmangur çdo ngjarje që mund të ndodhë. Po ashtu do të ketë më shumë sportele që punojnë në pikat e kalimit kufitar duke qenë se ka fluks emigrantësh që kthehen në atdhe. Masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike (fishekzjarre, kapsolla etj).

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit/Masa shtesë dhe në gatishmëri të plotë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, përgjatë festave të fundvitit. Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike përgjatë festave të fundvitit, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2023, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, duke qenë se që nga dita e djeshme, ka rritje të numrit të shtetasve që hyjnë më Shqipëri, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.

Masa shtesë janë marrë edhe për të parandaluar përdorimin e kundërligjshëm të lëndëve piroteknike (fishekzjarre, kapsolla etj). Për këtë qëllim, është hartuar plani i përgjithshëm i masave, nëpërmjet të cilave synohet: • Rritja e sigurisë në komunitet, në të gjithë territorin, duke shtuar prezencën e shërbimeve të Policisë. • Parandalimi i ngjarjeve kriminale, nëpërmjet kontrollit të plotë të territorit nga strukturat e Policisë, kontrolli ndaj personave me precedentë kriminalë, i automjeteve të tyre, si dhe i ambienteve që ata frekuentojnë, bazuar në inteligjencën informative. • Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim për ngjarje kriminale, dhe nxjerrjen e tyre përpara përgjegjësisë penale. • Shtimi i sporteleve dhe i burimeve njerëzore, në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Në pikat tokësore, bashkëpunim i ndërsjellë me homologët, me qëllim krijimin e lehtësirave ligjore, shmangien e rradhëve të gjata dhe për sigurimin e lëvizjeve të njëtrajtshme, në të dyja anët e kufirit. • Rritja e kontrollit në pikat e kalimit kufitar dhe shtimi i patrullimeve në kufirin e gjelbër, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare. • Monitorimi i akseve rrugore, me makina inteligjente, radarë automatikë dhe me patrulla të lëvizshme, me mjete të pauniformuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore;

Forcimi i masave për kontrollin ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarre dhe lëndë të tjera piroteknike, duke bashkëpunuar me PMNZH-në dhe me strukturat e tjera ligjzbatuese. • Rritja e prezencës së shërbimeve të Policisë, në shëtitore, pedonale, objekte kulti dhe sheshe publike, në të gjitha bashkitë e vendit, për të garantuar mbarëvajtjen e festimeve gjatë natës së Krishtlindjes dhe gjatë natës së ndërrimit të viteve. • Gjithashtu, strukturat e Policisë kanë planifikuar masa për mbajtjen në kontroll, të sigurisë dhe rendit, në restorante, lokale dhe qendra tregtare, që kanë frekuentim të lartë qytetarësh. • Në vijim, për të parandaluar ngjarjet kriminale, janë organizuar shërbime policore shtesë, në banka, zyra të këmbimit valutor, tregje dhe objekte të tjera, ku administrohen vlera monetare dhe materiale.

Strukturat e Policisë po bashkëpunojnë edhe me shërbimet private të sigurisë fizike (SHPSF), për përforcimin e shërbimeve të sigurisë së objekteve, si dhe gjatë shoqërimit dhe transportimit të vlerave monetare. •Ndërkohë shërbimet e lëvizshme operacionale (FLO) të Policisë së Shtetit, janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment, në rast së është e nevojshme. Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të krijuar një ambient sa më të sigurtë për të gjithë qytetarët, dhe në këtë kuadër i fton ata që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast paligjshmërie.