Ministrja Edona Bilali dhe Ina Zhupa vijojnë përplasjet virtuale për grantet e start up-eve. Pas akuzave të deputetes së PD për abuzimet me grantet e start up-eve, ministrja e Sipërmarrjes i është përgjigjur duke thënë me bindje se program do të flasë me vepra, jo me fjalët e politikës që i merr era. Në një postim në Facebook thotë se të rinjtë duhet të dëgjojnë baltën e hedhur ndërsa janë vlerësuar nga një komision profesionist, pjesë e të cilit ishin edhe mbështetësit e Sali Berishës.
Sa herë në këtë vend ndodh diçka e mirë, ‘non grata’ dhe ndjekësit e tij hidhen përpjetë. Kështu ndodhi edhe për projektet e mbështetura të ekosistemit të startup-eve. Kaluan pak ditë dhe filloi baltosja. Por mire baltosja mbi mua si ministre, po çfarë taksirati kanë fituesit, që janë të rinj e të reja që kanë aplikuar me projekte dhe janë vlerësuar nga një komision profesionist, pjesë e së cilit kanë qenë edhe pjesëmarrës të protestave të ‘non grata’. Sa më shumë baltë hedh ‘non grata’, aq më shumë jam e bindur që thirrja e parë ka qenë e suksesshme. Më vjen keq për të rinjtë, që duhet të dëgjojnë baltën e hedhur nga pleqtë e politikës, disa pleq në moshë e disa pleq në mendësi. Por puna e këtyre të rinjve dhe modelet inovatore të biznesit të mbështetura nga ky program do të flasë me vepra, jo me llafet e politikës që i merr era”, shkroi Bilali.
Një ditë më parë, deputetja e PD, Ina Zhupa ka denoncuar ministren Edona Bilali për abuzime duke thënë se favorizon miqtë. Sipas Zhupës, ka dhënë 2 grante me vlerë 88 milionë lekë për 2 organizata që janë pjesë e rrjetit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim. Një tjetër rast që përmend është përfitimi i 40 milionë dollarëve nga djali i drejtorit të FSHZH Fladi i Agollit për start-upin e tij. Sipas deputetes, edhe Hasko që ka përfituar grant për start-up ka qenë bashkëpunëtore e ministres për një kompani konsulencash.
Për këtë çështje ka reaguar më parë Sali Berisha, të cilit i ka kthyer përgjigje vetë ministrja duke thënë se janë shpifje pretendimet se ka përfshirë miqtë e saj në grante për start-up. Start-up nënkupton kompani apo individë të cilët hedhin në treg ide të reja inovatore, kryesisht në teknologji.
Comments are closed.