Oreo janë biskota të pëlqyera në të gjithë botën, por në Holandë ato kanë përfunduar në qendër të vëmendjes për një fakt shumë të diskutueshëm. Sipas pretendimeve të një gazete lokale që kreu një hetim të pavarur, një fabrikë holandeze kakaoje (e cila furnizon Mondelez, prodhuesin e Oreo) përdorte doza masive të amoniakut toksik për të errësuar pluhurin e kakaos.
Fabrika e kakaos Olam e vendosur në Koog aan de Zaan (në Holandë) ka përzier sasi të mëdha amoniaku toksik me kokrra kakao të bluara për vite me radhë, në mënyrë që ta bëjë pluhurin më të errët, i cili më pas përdoret për të prodhuar biskotat e famshme Oreo. Kjo është akuza e rëndë e hedhur nga gazeta holandeze Noordhollands Dagblad pas një hetimi.
Por kjo nuk është e gjitha. Fabrika ka arritur ta mbajë sekret për vite me radhë, por qeveria ka qenë gjithmonë në dijeni të saj.
Në realitet, që brenda asaj uzine kishte amoniak dihej prej disa kohësh, duke qenë se banorët vendas dhe ambientalistët kishin raportuar tashmë emetimet e fabrikës prej vitesh. Por sigurisht që nuk mendohej që kjo substancë të përdorej vullnetarisht, në fakt kompania ishte justifikuar gjithmonë duke pretenduar se shkarkimet ishin për shkak të trajtimit të kokrrave të kakaos.
Por akuza më e rëndë është ajo që i drejtohet Qeverisë. Noordhollands Dagblad shkruan:
Qeveria e dinte. Agjencia e Mjedisit fshehu shtimin e dhjetëra mijëra kilogramëve të amoniakut me kërkesë të Olam. Vetë fabrika ka çuar në rrugë të gabuar banorët vendas, konkurrentët dhe politikanët duke publikuar dezinformata për shkakun e emetimeve të konsiderueshme të amoniakut nga kjo fabrikë.
Përgjigja e kompanisë
Drejtori i Olam, Eric Nederhand, duket se ka pranuar se amoniaku i shtohet procesit, por nuk pranoi të specifikojë se çfarë dozash në baza vjetore:
Ofi (Olam) përdor amoniak si një zgjidhje alkalizuese për disa pluhura kakao për të ndryshuar ngjyrën ose shijen e produktit përfundimtar. Asnjë ose shumë pak amoniak mbetet në produktin përfundimtar. Ofi përmend përdorimin e tij si aditiv ushqimor në informacionin teknik të secilit përbërës. Nuk mund të komentoj për sasi specifike.
Comments are closed.