Enti Rregullator i Energjisë ka shfuqizuar përfundimisht fashën 800 kilovat/orë. Pas dy shtyrjesh në tetor e nëntor për shkak të kursimit nga qytetarët, siç u deklarua nga qeveria, ERE vendosi me 5 vota “pro” për shfuqizimin e vendimit të shtatorit që megjithatë nuk u vu asnjëherë në zbatim.
Në dokumentin e aplikimit për pezullimin e fashës 800 KWh edhe për muajin dhjetor, Korporata ka pranuar se në fund të këtij muaji gjendja e rezervës energjetike në kaskadë paraqitet 735 GWh apo 6.8 për qind më e lartë sesa mesatarja shumëvjeçare.
Për muajin dhjetor, dokumentet kanë parashikuar tre skenarë ku në skenarin bazë shpenzimet për blerje në tregun e lirë janë 19 milionë euro, në skenarin optimist zero lekë dhe në atë pesimist 38 milionë euro.
Deri më tani, kur ka kaluar thuajse gjysma e muajit dhjetor, KESH nuk ka hapur procedura për blerje, por vetëm për shitje dhe depozitim energjie. Vendi ynë është ndikuar nga një situatë e mirë për hidrometeorologjike, me reshje shiu dhe rrebeshe në të gjithë territorin.
“Pavarësisht se është vendosur nga enti rregullator një fashë e cila mund të futej në funksion kur të kishim vështirësi, nuk është vendosur kurrë dhe nuk është përdorur deri më sot. E gjitha kjo sepse situata është përmirësuar herë pas here. Megjithatë, duhet thënë se kursimi në muajt e parë ka qenë i konsiderueshëm.
Në tetor e kemi mbyllur me 7% kursim në rang vendi, ndërsa në nëntor me 2% kursim në rang vendi. 2% është kursim i vogël që nuk na ndihmon që të vazhdojmë të mbajmë të njëjtën situatë energjetike dhe të ndihmojë çdo qytetar”, u shpreh dje ministrja Belinda Balluku, teksa foli për situatën energjitike në vend.