Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thirrur sonte një mbledhje urgjente me Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

Sipas mediave serbe, mësohet se mbledhja është thirrur pas raportimeve se “do të sulmohen serbët në barrikada në veri sonte”. Takimi parashikohet të nisë në orën 19:00, pas kësaj Vuçiç do të ketë një komunikim për mediat.

Policia e Kosovës dhe Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit (EULEX) raportuan të dielën për incidente në veriun e vendit ku rrugët kryesore po mbahen të bllokuara nga grupe qytetarësh serbë.

EULEX-i tha se “një bombe tronditëse u hodh kundër një patrulle të këtij misioni” por pa dëme në njerëz.

“Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve të policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë ato kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e EULEX-it, në të cilin nënvizohet gatishmëria për të ruajtur qëndrueshmërinë dhe sigurinë e qytetarëve.