Që nga viti 2015 kur ujësjellësit u bënë pronë e bashkive, numri i punësimeve është rritur me plot 71%. Vetë Enti Rregullator i Ujit iu kërkon bashkive t’iu japin fund punësimeve nepotike apo partiake në këtë sektor. Ndërkohë që bëhet thirrje për uljen e shpenzimeve të kota, punësimet partiake nuk kanë fund.

Kostot e larta nuk i kanë penguar shoqëritë e ujësjellësve ta fryjnë administratën. Nga viti 2015 numri i të punësuarve në ujësjellës është rritur me 2500 persona, krahasuar me tetë vite më parë.

Në raportin e fundit, ERRU, që mat performancën e 58 shoqërive të ujësjellësve në vend, vë në dukje se sektori vijoi të mbingarkohej me staf edhe gjatë vitit 2021, duke u shtuar me 191 punonjës. Ekspertët, por edhe vetë institucionet, pranojnë se shpesh herë punësimet janë bërë pa arsimin përkatës dhe të bazuara në kritere partiake

“Në këtë drejtim kërkohet një angazhim më i madh nga shoqëritë dhe bashkitë përkatëse, për të eliminuar punësimet nepotike apo të karakterit politik”, thekson ERRU.

Fryrja e administratës së Ujësjellësve u konsiderua një praktikë “kriminale”, që duhet të marrë fund, edhe nga vetë kryeministri Rama. Gjatë një takimi me kryebashkiakët në Pogradec, gjatë korrikut 2022, ai tha se kemi 6 herë më shumë punonjës në Ujësjellës sesa na duhen.

“Në 6 vetë vetëm një punon dhe pesë të tjerë bëjnë sehir dhe ai që punon, do neglizhojë, duke ulur cilësinë e shërbimit”, shprehet Bardhyl Samarxhiu, një ish-punonjës i Ujësjellësit, Elbasan. Në krye të listës së shoqërive të ujësjellësit, që kanë rritur ndjeshëm numrin e punonjësve, qëndron ai i Tiranës me 69 punonjës për shkak të ristrukturimit të shoqërisë.

Ujësjellësi i Elbasanit e shtoi administratën përgjatë vitit 2021 me 93 punonjës, nga të cilët, 50 punonjës në pozicionin Task-Force dhe juristë dhe 43 punonjës të nënkontraktuar për shërbimin e rojeve. Edhe Ujësjellësi Kamëz e shtoi numrin e punonjësve me 51 persona për shkak të zgjerimit të zonës së shërbimit me 5,000 abonentë të rinj /JOQ /