Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të mërkurën më 7 dhjetor 2022 vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Gjykatës së Shkodrës, Arbër Çela. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Genta Tafa (Bungo).
Gjatë seancës dëgjimore më 2 dhjetor, Çela u përball dhe dha shpjegime për balanca negative në vlera të konsiderueshme për blerjen e një apartamenti, dyshime për formalizimin e blerjes së një automjeti dy vjet me vonesë për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme, si dhe për gjetjet në kriterin e pastërtisë së figurës lidhur me indicie për lehtësimin e disa palëve në proceset gjyqësore që ka shqyrtuar.
Çela i kundërshtoi konkluzionet paraprake të KPK-së për pasurinë, duke pretenduar se kishte arritur të provonte burimet e ligjshme të pasurisë së vetme që zotëron, ndërsa e cilësoi fyes dhe të padrejtë raportin e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, që ngrinte dyshime për figurën.
Arbër Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punon prej një dekade si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër. Ai ushtron gjithashtu funksionin e kryetarit në detyrë.
Comments are closed.