Gentian Funiqi i akuzuar për përfshirjen në rrëmbimin e bujshëm të Jan Prengës, u arrestua dje nga policia. Ai fshihej nga autoritetet policore duke përdorur 2 identitete të tjera si Gentian Martini dhe Vasim Olomani. Hetimet lidhur me aktivitetin e tij gjatë kohës që ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, zbuluan se para gjashtë muajsh ai ka udhëtuar drejt Spanjës, ku edhe kishte filluar jetesën e tij, teksa Shqipëria e kërkonte me një sërë akuzash të rënda.

Në njoftimin e Policisë së Shtetit bëhet me dije se 40-vjeçari, në momentin e kapjes nga Policia, mbante një kartë identiteti bullgare të falsifikuar, me gjeneralitete R. I., dhe një sasi lënde narkotike, të cilat janë sekuestruar nga Policia. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve luftarake dhe e municionit”.

I arrestuari do të jetë personi i dytë që do të mbyllet në qeli për pengmarrjen e Prengës, të cilin ende nuk i është gjetur trupi. Aktualisht i vetmi i dënuar është Festim Bexhdili, i cili ka marrë burgim të përjetshëm nga Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ai është shpallur fajtor për rrëmbimin me pasojë vdekjen dhe zhdukjen e kufomës së Jan Prengës. Sipas dosjes hetimore, Bexhdili kishte rolin e fshirësit të gjurmëve dhe ka rrëfyer se është i punësuar si kopshtar në kompleksin “Golden”, dhe pasditen e 17 janarit të vitit 2020, pronari Altin Hajri i kërkoi të nxirrte nga kompleksi trupin e pajetë të një personi.

Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim janë dërguar: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar./Dosja.al