Dëbora përfshiu juglindjen këtë të diel, ndërsa temperaturat shënuan rënie të ndjeshme!
Reshje ka pasur në fshatin turistik të Voskopojës e Dardhës, si dhe në fshatrat malorë të njësisë administrative Vithkuq të Korçës, kryesisht në Shtyllë dhe në majën e Mashkullorës aty ku trashësia e dëborës ka shkuar nga 10 deri në 15 cm.
Rrugët e fshatrave turistik janë të kalueshme pa probleme.
Në Majë të Bigllës, në aksin Boboshticë-Dardhë ka pasur probleme në një segment rruge për mjetet e pa pajisura me goma të përshtatura për këto rrugë me reshje bore.
Institucionet lokale thonë se firmat kontraktore janë të gadishmëri me mjete, kripë dhe skorje, pasi reshjet pritet të vijojnë.
Për të shmangur rreziqet në rrugë drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me shpejtësi të kufizuar dhe të përdorin goma dimërorë.
Prej disa ditësh reshje bore ka pasur edhe në veri të vendit.
Në Vermoshë e Lepushë bora ka arritur në disa centimetra por deri më tani nuk raportohet për probleme.
Bora ka zbardhur edhe majën malit të Gjallicës në Kukës dhe Parkun Kombëtar Shebenik Jabllanicë në Librazhd.
Sipas Insitutit të Gjeoshkencave reshjet e dëborës priten të zbresin deri në 800 metra mbi nivelin e detit kryesisht në veri, lindje dhe juglindje të vendit.
Pjesa tjetër e vendit të diel e të hënë do të përfshihet nga reshje të dobëta shiu. Ndërkohë në zonat e përmbytura situata është përmirësuar.
Në Lezhë janë ende nën ujë rreth 600 hektarë tokë në zonën e ish kënetës në Torovicë.
Lumi Drin dhe Gjadër kanë rënë në kuota normale.
Comments are closed.