Në fund të muajit gusht, kryebashkiaku i Shkodrës Bardh Spahia premtoi ndërhyrjen e plotë në dy rrugë të qytetit të Shkodrës, “Qafa e Bishkazit” dhe ajo në lagjen “Dragushej”, projekte me vlerë totale rreth 20 milion lekë. Verifikimi i Faktoje tregoi se në njërën prej rrugëve ndërhyrja ishte e pjeshme, ndërsa për tjetrën, banorët ankoheshin për cilësinë e punimeve.
Esmeralda Topi
“Një tjetër investim i Bashkisë Shkodër po shkon drejt përfundimit. Në rrugën “Qafa e Bishkazit” pasi janë përmbyllur punimet nëntokësore, po kryhet hedhja e shtresës së asfaltit.” – shkruhej më 31 gusht në faqen zyrtare në facebook të Bashkisë Shkodër.
Nisur nga rëndësia që kanë çështjet e infrastrukturës në jetën e qytetarëve, Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e Kryetarit të Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia. Më 20 shtator ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shkodrës, lidhur me ecurinë e këtij investimi. Dhjetë ditë pas kërkesës, Bashkia e Shkodrës konfirmoi përfundimin e punimeve në rrugën “Qafa e Bishkazit” me vlerë totale 9.6 milionë lekë.
“Investimi në rrugën Qafa e Bishkazit ka përfunduar kohët e fundit.”– shkruhej në përgjigjen zyrtare të bashkisë.
Screenshot nga përgjigjja e Bashkisë Shkodër
Faktoje vendosi të verifikojë në terren përfundimin e punimeve për rrugën në fjalë. Më 17 nëntor ne ishim në Shkodër. Pjesa më e madhe e rrugës “Qafa e Bishkazit” ishte shtruar me asfalt, por ndërhyrja nuk ishte bërë deri në fund të segmentit.
“Ka mbaruar, ka ndonjë muaj, por në fillim thanë se do të shtrohej deri në fund, tek shinat e trenit. Tani thanë s’ka më fonde.”- na tregoi në banore e lagjes aty pranë.
Rruga “Qafa e Bishkazit” Shkodër 19 nëntor
Vëzhgimin e radhës e kryem në rrugën “Dragushej”, ku verifikuam nga afër një tjetër premtim që z.Bardhi kishte bërë në lidhje me përmirësimin e infrastrukturës rrugore.
“I lumtur që një tjetër lagje e vjetër e Shkodrës, siç është ajo që përshkon rruga “Dragushej”, po merr pamjen e merituar. Ndërhyrja e Bashkisë Shkodër me këtë investim ka përfshirë të gjithë rrjetin nëntokësor të kanalizimeve, asfaltim, gjelbërim, ndriçim LED dhe sinjalistikë të plotë rrugore.” – shkruante më 27 gusht, Kryetari i Bashkisë Shkodër, Bardh Spahia.
Pas kërkesës sonë për informacion lidhur me këtë investim, bashkia konfirmoi përfundimin e punimeve:
“Investimi në rrugën “Dragushej” ka përfunduar, është në fazën e kolaudimit. Vlera e investimit, sipas situacionit përfundimtar është 11.200.668 lekë me TVSH.” Edhe nga verifikimi ynë në terren, rezultoi se investimi në rrugën Dragushej kishte përfunduar.
Rruga “Dragushej” në Shkodër 19 nëntor
Por banorë të lagjes ankoheshin për cilësinë e punimeve. “Më mirë të mos e kishte bërë fare. Ne s’kemi si të fusim makinën në oborr, shiko se si e kanë bërë.” – thotë një banore për Faktoje teksa na tregon se si e pengon bordura anësore e rrugës, futjen e makinës në oborrin e saj të shtëpisë.
“Sikur të mos mjaftonte kjo, na hyn uji në shtëpi. Në vend që të dalë në rrugë futet brenda dhe përmbytemi.” – shton ajo.
Nisur nga verifikimi në terren dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e kryebashkiakut Bardh Spahiu në lidhje me ndërhyrjen në dy segmentet rrugore në Shkodër, ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.