Organizata e Menaxhim Peshkimit së bashku me strukturat e Policisë së Shtetit dhe Inspektoriatin e Peshkimit i ka shpallur luftë gjuetisë së paligjshme në liqenin e Shkodrës me qëllim që ta minimizojë sa më shumë këtë fenomen.
Kështu shprehet Kreu i Organizatës së Menaxhim Peshkimit Arjan Cinari i cili thotë se e ka gjetur mbështetjen nga strukturat e policisë së shtetit. Ai pohon se vullneti për të përmirësuar situatën është por duhet një punë e madhe për t’a mposhtur njëherë e mirë.
Megjithatë për kreun e OMP-së, ky problem pavarësisht se ka patur përmirësime të vazhdueshme, vazhdon të ekzistojë. Ndër të tjera kreu i OMP Arjan Cinari sqaron se përgjegjësi të madhe në këtë pjesë ka edhe policia e shtetit.Për vite me radhë, gjuetia e paligjshme dhe kapja e peshkut përmes lëndëve plasëse dhe korentit ka shqetësuar një numër të madh të shoqatave mjedisore.Si pasojë e këtij peshkimi të paligjshëm, sipas specialistëve ka ndikuar ndjeshëm edhe në rënien e rezervave në Liqenin e Shkodrës dhe në lumin Buna.