Të paktën 122 monumente nuk ekzistojnë më në vendin tonë dhe po kaq është numri i atyre që janë shkatërruar plotësisht.
Një raport auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit me tematikën e menaxhimit të monumenteve të kulturës ndalet pikërisht në këtë aspekt, duke vënë theksin te nevoja për ndërhyrje në të tjerë monumente për t’i kthyer ato në gjendje më të mirë.
““Institucionet përgjegjëse për menaxhimin e monumenteve të kulturës nuk e kanë orientuar veprimtarinë e tyre në mënyrë efektive, me qëllimin final, mbrojtjen, mirë – administrimin, inventarizimin dhe vlerësimin e monumenteve në vendin tonë, me rezultatin e vetëm63 që 122 monumente nuk ekzistojnë, 122 monumente janë plotësisht të shkatërruara, 884 monumente në gjendje të pranueshme por që kanë nevojë për restaurim, 745 objekte në gjendje të mirë dhe në nevojë për një mirëmbajtje të vazhdueshme, 98 objekte të tjetërsuar si dhe 15 objekte pa kartelë.” vlerëson KLSH.
Duke u ndalur në këtë problematikë, audituesit nënvizojnë se kjo situatë është shkaktuar edhe nga një programim joefektiv i burimeve njerëzore dhe financiare në territor, sidomos sa i takon institucioneve të specializuara të ngarkuara me mbrojtjen dhe administrimin e këtyre monumenteve. Të njëjtën përgjegjësi adresohet se mban edhe Ministria e Kulturës, e cila qëndron në krye të tyre.
“Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës, si institucion politikebërës nuk është angazhuar maksimalisht në hartimin dhe miratimin e akteve nënligjore në zbatim të ligjit për trashëgiminë kulturore, duke lënë sistemin kombëtar për kujdesin ndaj trashëgimisë kulturore pa Inspektoriat, çka do të thotë, pa patur në dorë mundësinë e ndëshkimit ndaj atyre që abuzojnë, shkatërrojnë apo tjetërsojnë monumentet e kulturës” thuhet në auditim.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nënvizon se situate ka ardhur në mungesë të planeve (dokumenteve të planifikimit) të cilat duhet të harmonizojnë politikat makro të Ministrisë së Kulturës me politikat e institucioneve të tjera në nivel qendror dhe vendor.
Ndërhyrjet sipas këtij institucioni në monumentet e kulturës kanë qenë masive dhe të natyrave e varieteteve të ndryshme si për shembull, ndërtime të paautorizuara, zbatim projektesh në mos plotësim të kërkesave ligjore, pamundësia për të ndëshkuar shkelësit e ligjit, bashkëpunimi i ulët ndër institucional sidomos me institucionet e vetëqeverisjes vendore etj.
“Në këtë situatë nevojitet një ndërhyrje e vendosur dhe e koordinuar për të shpëtuar atë çka ka mbetur nga pasuria jonë kombëtare” përmbyllin audituesit./Marre nga MONITOR
Comments are closed.