Një mal i madh borxhesh që po vjen gjithnjë e në rritje është krijuar ndërmarrjet ndërmarrjeve publike të energjisë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se stoku i borxhit po shtohet ndjeshëm nga humbja e aftësisë së ndërmarrjeve të ujësjellësve për të shlyer faturat e energjisë dhe enteve të tjera publike.
Në projektbuxhetin e vitit 2023 Ministria e financave raportoi se stoku i borxhit të ndërsjelltë ndërmjet kompanive publike në sektorin e energjisë arriti në fund të qershorit 2022 në 156 miliardë lekë ose 1,3 miliardë euro duke arritur një rekord historik.
Shumën më të madhe të detyrimeve e ka KESH me rreth 59 miliardë lekë, nga të cilat 52 miliardë lekë duhet ti marrë nga OSHEE dhe 7.5 miliardë lekë nga OST.
Detyrimet e OSHEE ndaj KESH rrjedhin që në kohën kur kompania e shpërndarjes ishte në pronësi të CEZ. Borxhi i trashëguar nga kjo do të shlyhet në bazë të një marrëveshje për një periudhe 29 vjeçare.
Zëri i dytë më i lartë i detyrimeve, prej 40 miliardë lekësh janë ndaj Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, ku ndërmarrjet publike të energjisë KESH, OSHEE dhe OST kanë dështuar të shlyejnë borxhet dhe garancitë që buxheti i shtetit ka lëshuar ndaj tyre.
Zëri i tretë për nga madhësia e detyrimeve i takon OSHEE-së me rreth 29 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe detyrimeve janë borxhet e pashlyera të ndërmarrjeve të ujësjellësit. Borxhi i ujësjellësve ndaj OSHEE është rritur me shpejtësi nga 18 miliardë lekë në fillim të vitit 2020 në 22 miliardë lekë në fund të 6-mujorit të vitit 2022.
Sakaq në vitin 2025, detyrimet e prapambetura parashikohet të reduktohen mbi 30 miliard lekë. Ky parashikim mbart dhe rreziqe. Një prej rreziqeve kryesore është progresi i reformës së ujit.
Në kuadër të reformës në sektorin e energjisë, në muajin Dhjetor të vitit 2020 u finalizua me sukses plani i masave për reduktimin e detyrimeve të prapambetura në sektorin e energjisë elektrike.
Ky plan ofron një seri masash për parandalimin e detyrimeve të prapambetura dhe disiplinimin e pagesave ndërmjet kompanive të sektorit energjitik dhe palëve kryesore të lidhura me to.
Mirëpo që kur ky plan u miratua stoku i detyrimeve është rritur me tej në vend që të ulet.
Psh qeveria kishte parashikuar që borxhi i ndërmarrjeve të ujësjellësit ndaj OSHEE-së të arrinte në 15 miliardë lekë gjatë këtij viti, por në fakt këto detyrime janë rreth 22.7 miliardë lekë deri në fund të qershorit 2022./Monitor
Comments are closed.