Shkodra është një prej 8 bashkive nga vendet Europiane që është përfituese e projektit FARO “Trashëgimi të ndryshme në Qytetet Europiane – Krijimi i një rrëfimi të identiteteve të ndryshme europiane përmes pjesëmarrjes së qytetarëve”.
Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, është shprehur në rrjetet sociale se kjo nismë merr një rëndësi të veçantë për vetë historinë afro 50 vjeçare që vendi ynë ka patur në diktaturë dhe bazuar në ato që u trashëguan nga ajo kohë.
“Objektet e ndërtuara nga regjimi komunist përfaqësojnë një mentalitet, dokumentojnë një kohë dhe histori të zymtë, për të cilën nuk duhet të flasin vetëm librat, por duhet ta kemi përpara syve edhe si dëshmi”, tha Spahia.
Shkodra është duke investuar në krijimin e hapësirave kulturore për të shpjeguar më mirë trashëgiminë e lënë nga regjimi komunist.
Jasho Minkov nënkryetar i bashkisë Dimitrovgrad dhe zëvendësdrejtor i Atrium, përgëzoi punën e bërë nga bashkia Shkodër.
Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një tematike delikate siç është ajo e trashëgimisë disonante, pasi ka të bëjë me një temë që ende dhemb dhe krijon konflikt brenda komunitetit lokal. Kjo lloj trashëgimie nuk është e lehtë për t’u menaxhuar pasi ekziston një risk konstant për keqkuptime ose akuza për rishkrim të historisë, sa i përket regjimit që e la këtë trashëgimi.