Ajo është rreth të 35-tave dhe është pedagoge e jashtme në një nga fakultetet e Universitetit të Tiranës. Klara, nënë e një vajze të vogël, plotëson të ardhurat e saj si pedagoge duke plotësuar orët e seminareve në kursin e Masterit shkencor, por gjatë javës punon në Call Center.
Në një bisedë konfidenciale me të, Klara tregon se ka punuar në Call Center që në fakultet kur studionte.
“Pasi u martova, tentova të punësohem në fakultetin ku kisha përfunduar, por nuk kishte vende të reja pune. Më ofruan mundësi si pedagoge e jashtme për orët e seminareve në studimet Master”, tregon Klara.
Por paga e një pedagogu të jashtëm është e papërfillshme, në një vit afro 80 mijë lek, ndërkohë që nevojat për të patur një pagë fikse mujore për nënën e re ishin të mëdha.
“Nuk e mendova gjatë. Sidomos në pandemi kur na u dha mundësia të punojmë online nga shtëpia vendosa të mos shkëputem më nga kjo punë. Kam punuar dhe në pozicionin “Team Leader”, por tani jam punonjëse e thjeshtë sepse kam mundësinë e të punuarit në distancë”, thotë Klara e cila sot paguhet 80 mijë lekë në muaj nga puna 8 orë në Call Center.
Pedagogia e re thotë se është e ardhur në Tiranë. Jeta si studente në konvikt, e ka mësuar t’ia dalë vetë duke punuar çdo punë, sidomos tani që është familjare dhe ka një vajzë të vogël për të rritur.
“Ne kemi qenë disa vajza në dhomë të cilat edhe punonim dhe studionim. Në Call Center kam parë shumë të rinj që kanë përfunduar studimet dhe nuk kanë gjetur një punë në profesionin e tyre.
Më vjen keq vetëm që investova në një degë e cila nuk ka kërkesa në tregun e punës. Këtë e shohim dhe në kërkesat për studime, shumë pak studentë zgjedhin të vazhdojnë lëndët shoqërore, filozofi, sociologji. Duket se këto degë janë një investim i kotë”, thotë pedagogia e Masterit shkencor në fakultetin e Shkencave Sociale Tiranë.
Klara tregon se të punësohesh si pedagoge e brendshme në fakultet është shumë e vështirë, pasi mungojnë vendet e reja të punës.
“Nuk ka vende të lira. Unë po krijoj përvojë pune, sepse që të punësohesh si Lektore e brendshme minimum duhet të kesh 3 vite eksperiencë, pasi të kesh mbaruar doktoraturën. Por ka shumë degë te Shkencat Sociale që nuk kanë nevojë për shtesa pedagogësh. Sepse vendet e reja krijohen në bazë të orëve mësimore e numrit të studentëve.”
Për rekrutimin e pedagogëve të rinj, sipas ligjit “Për Arsimin e Lartë”, procesi kryhet në department.
Sipas ligjit, është departamenti organi përgjegjës që miraton kriteret dhe bën propozimet të cilat më pas dërgohen në Rektorat. Pas miratimit të listës së pedagogëve, shpallja e fituesve kryhet në Agjencinë e Administratës Publike.
“Me miratimin brenda 2 javëve të kandidaturave të reja nga strukturat e burimeve njerëzore në fakultet, ngrihet një komision që do të bëjë përzgjjedhjen e fituesve. Komisioni përbëhet nga 5 anëtarë; 2 anëtarë që cakton shefi i Departamentit, 2 anëtarë që përzgjedh dekani i fakultetit dhe 1 anëtar komisioni që cakton Rektori. Pasi zhvillohet konkursi, rektori nënshkruan kontratën”, thonë burimet konfidenciale për Gazetasi.al./ Marrë nga Gazetasi.al.
Comments are closed.