Ka shkuar në 34 numri i personave të arrestuar në kuadër të mega-operacionit të koduar “Qarku” në Shkodër.

Mësohet se në prangat e policisë ka rënë 32-vjeçari Marcel Shpijati, banues në Dajç i cili kishte përshtatur një dhomë të banesës së tij, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike.

Gjatë fazës së shtatë janë sekuestruar armë, drogë, fidanë narkotikë të kultivuar dhe bimë narkotike në proces tharjeje.

Njoftimi i policise:

Shkodër – Vijon megaoperacioni policor i koduar “Qarku”, finalizohet faza e shtatë. Shkon në 34 numri i të arrestuarve.

Kishte përshtatur një dhomë të banesës së tij, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari.

Sekuestrohen gjatë fazës së shtatë: armë, drogë, fidanë narkotikë të kultivuar dhe bimë narkotike në proces tharjeje.

Në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndëve narkotike, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, mbështetur dhe në inteligjencë informative, kanë finalizuar fazën e shtatë të këtij operacioni, si rezultat i së cilës është evidentuar dhe goditur një rast i përshtatjes së ambienteve të banesës, për kultivimin e bimëve narkotike, me anë të llambave elektrike.

Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Marçel Shpijati, në Dajç, Shkodër, në të cilën shërbimet e Policisë kanë evidentuar një dhomë që ishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave elektrike.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në ambientet e banesës kanë gjetur 20 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo plastike, bimë të dyshuara narkotike në proces tharjeje dhe lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë rreth 1.2 kg, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, së bashku me pajisjet elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të kësaj banese është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë.

Në përfundim të veprimeve u arrestua në flagrancë pronari i banesës, shtetasi M. Sh., 32 vjeç, banues në Dajç, Shkodër dhe materialet procedurale i kaluan Prokuorisë, për veprime të mëtejshme.

* Gjatë 7 fazave të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Qarku”, janë vënë në pranga 34 shtetas, si dhe janë sekuestruar në total, 270.7 kg kanabis, 476 bimë dhe fidanë kanabisi, dhjetëra doze kokaine, pajisje që shërbenin për përpunimin e kanabisit, 2 armë zjarri, municion luftarak, 1 armë sportive, 4 automjete dhe 16 aparate celulare.