Në lidhje direkte me programin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, punonjësi i Policisë Rrugore, Gerhard Baka, foli në statistika se cilët janë shkelësit më të mëdhenj gjatë drejtimit të makinës, meshkujt apo femrat. Aktualisht, ka më shumë drejtues meshkuj, ndërsa shofere më pak, por ka nisur të kthehet në shqetësuese situata e kohëve të fundit pasi po rezultojnë në gjendje të dehur apo nën ndikimin e narkotikëve.
Gerhard Baka: Statistikat flasin që drejtuesit e mjeteve meshkuj janë më të shumtë në numër, por që janë shkelësit më të mëdhenj të sinjalistikës apo të Kodit Rrugor. Këto janë në favor të femrave. Por duhet të theksojmë që kohët e fundit kemi raste të shtuara të drejtuesve femra të cilat janë përfshirë në aksidente qoftë me pasojë, qoftë nën ndikimin e lëndëve narkotike rishtazi së fundmi ku ne kemi operuar me aparatin matës apo dhe në gjendje të dehur me aparatin e alkoolmatësit.
Aldo: Sidomos fundjavave në Bllok, bëhet qameti.
Gerhard Baka: Sigurisht. Fokusi jonë në lidhje me temën tuaj në lidhje me sigurinë rrugore, nuk mund të bëjmë dallim femra apo meshkuj sepse për ne janë të gjithë përdorues të rrugës, të mjeteve dhe përgjegjësia është individuale dhe e pandashme, pra përgjegjësia është qoftë drejtuese femër, qoftë drejtues mjeti mashkull, duhet të jetë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm në drejtim. E përsëris sërish, statistikat flasin në flasin në favor të femrave që janë më të pakta në shkaktimin e aksidenteve por kemi rastet e fundit që po shqetësohemi sepse ka shtim të rasteve që drejtueset femra janë shkelëse të qarkullimit rrugor.
Baka shpjegon edhe rastet kur policia nuk gjen hapësirë për tolerime, ndryshe nga situatat kur ka hapësirë për të mos marrë masa ndëshkuese.
Gerhard Baka: Që ta saktësoj edhe njëherë dhe t’jua bëj të qartë edhe juve, ehe atyre që na ndjekin. Në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë rrugore, siç mund të jetë përdorimi i aparatit celular, mosvendosja e rripit të sigurimit, mbajtja e fëmijëve nën moshë pa sistemet e fiksimit, përdorimi i lëndëve narkotike, përdorimi i alkoolit gjatë drejtimit të mjetit është toleranca 0, nuk ka kompromis qoftë drejtuese femër, qoftë drejtues mashkull. E them me përgjegjësi të plotë, me keqardhje, por kjo është nisma më e mirë që ne kemi ndërmarrë sepse statistikat flasin që edhe në 2022 kemi përgjysmim të aksidenteve të rasteve me pasojë, kemi shtim të fluksit të mjeteve që janë të regjistruara në Republikën e Shqipërisë dhe ulje të ngjarjeve me pasojë, falë këtyre nismave. Sigurisht ka vend për këshillim në raste siç përmendët edhe ju, ku nuk janë shkaktarë determinantë për ardhjen e pasojës.
Diçka tjetër që thekson Baka, është se lidhur me shkaktimin e aksidenteve për shkak të përdorimit të celularit, dominojnë femrat. Krahasuar me alkoolin, celulari renditet i pari.
Gerhard Baka: Celulari. Absolutisht, ka raste të shtimit të përdorimit të alkoolit, por nëse do të flasim me statistika, dominon me një përqindje shumë më të madhe përdorimi i aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit./tvklan.al
Comments are closed.