Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar me një status të gjatë në rrjetin social Facebook, për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama nga reagimet e shumta pas fjalimit të tij plot kritika të mbajtur në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Sipas ministres, urrejtja ndaj kreut të qeverisë shërben si arsye për të mos e dashur vendib. Sipas Spiropalit kritikuesit e Ramës janë njerëz të yshtur nga urrejtja dhe inati.
‘Urrejtja për Edi Ramën si arsye për të mos dashur Shqipërinë!
Ka një pakicë të zhurmshme në Tiranë që sillet si xhamathyese në koncert. Zhurma e tyre duket se ngrihet edhe mbi vetë koncertin. Kjo është përshtypja e parë e reagimeve të rrëmujshme dhe të ububushme që përfshinë shumë gojë publike menjëherë pas qëndrimit zyrtar të Republikës së Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Të yshtur nga inati dhe urrejtja për Ramën, të verbuar nga padija, të mposhtur nga emocionet negative lokale, gjykimi i tyre sterrë nuk kishte të bënte as me thelbin e asaj që u tha, nuk u takua kund me kumtin që u dha dhe nuk i shpëtoi emocionit provincial të betejës së përditshme politike në vend.
Plot 11 vjet më parë, mocioni i rusit putinist Kosacev, kthyer në raport nga senatori Dick Marty, i votuar si rezolutë në po atë sallë, mori dhenë në çdo media të botës, u bë shkas për krijimin e Gjykatës Speciale dhe solli si pasojë një kalvar të vërtetë penal për komandantët e UÇK-së. Akuza ishte rrëqethëse. Ata që ishin Luftëtarë të Lirisë dhe që luftuan për të shpëtuar Kosovën që rrezikohej nga asgjësimi, kryengritësit që kundërshtuan regjimin nacionalfashist të Milosheviçit, papritur u vunë nën akuzë se ishin banditë që jo vetëm kishin vrarë, por edhe kishin trafikuar organet e robërve të tyre.
E drejta thotë se dyshimi është në favor të të pandehurit, por kësaj here dyshimi u tregtua si provë për vetë akuzën. Mbrojtësit e një populli që u detyrua të provonte fatin e refugjatit të luftës, me fëmijë, gra e burra të çdo moshe, aleatët natyralë të NATO-s dhe njëlloj si europianët e Luftës së Dytë Botërore, mburojë lirie, u vizatuan si kriminelë dhe u arrestuan si banditë. Mbi shqiptarët si komb ra edhe njëherë hija e rëndë e dyshimit se nuk dinë e nuk munden të luftojnë për lirinë, se në thelb raca e tyre lufton për plaçkë, ku krimi, edhe ai më makabri, është mjet që përdoret lehtësisht.
Edhe pse akuza tingëllonte si trillim sensacional, vite të tëra hetimesh, nga organe vendase e të huaja, dhanë zero rezultat e detyruan vetë prokurorinë të tërhiqej nga kjo akuzë, ndërsa kalvari njerëzor dhe politik i komandantëve të Luftës ende vazhdon.
Edi Rama, zëdhënës zëfortë i vullnetit politik të Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë Shqiptare, tha pikërisht këtë: shkaku i lig që ka sjellë këtë dramë vazhdon ende të sjellë pasoja. Duke pritur me durim vendimin e drejtësisë, duhet korrigjuar vetë shkaku.
Një rezolutë e re që duhet të saktësojë, qartësojë dhe hedhë poshtë përfundimisht shkakun e dikurshëm. Historia nuk mund të rishkruhet dhe viktimat nuk mund të ndrrojnë vendet me xhelatët!
Edi Rama do të ishte në faj përpara shqiptarëve këtej dhe andej kufirit se kështu e detyron Kushtetuta, nëse nuk do ta kishte bërë këtë hap, do të ishte në faj moral e politik, në mëkat njerëzor e qytetar nëse nuk do të ishte aktor në atë të mërkurë europiane në Strasburg.
Ky ishte thelbi i asaj dite të stuhishme, që edhe nëse nuk nxitohemi ta quajmë historike për Shqipërinë, ishte dita kur Shqipëria takoi historinë.
Ashtu siç e dikton thelbi i saj europian. Por xhamathyesit e Tiranës nuk e duruan dot formën dhe cilësinë e jashtëzakonshme të fjalës dhe prezantimit të Kryeministrit shqiptar në atë Asamble. Atyre iu erren aq shumë sytë sa atentatuan thelbin e asaj çfarë ndodhi.
Rrugët drejt të vërtetës janë të pafundme dhe shpesh nuk ka një të vërtetë të vetme.
Tentoj të mirëkuptoj ligësinë provinciale të shumëkujt që është i gatshëm të largojë një sy nga balli me kusht që kjo maxhorancë të verbohet.
E kuptoj mjaft mirë edhe llogarinë elektorale të atyre që nuk janë në gjendje as të gjejnë gjuhën me njëri-tjetrin dhe që rreken të gjejnë tek Rama gjithë arsyet e disfatave të tyre politike. Por, përdorimi i patriotizmit fals dhe falspatriotët që janë të gatshëm si kolaboracionistë të ngrohin këdo që ju duket si armik i armikut të tyre, është një mëkat që nuk e shlyen dot as e nesërmja dhe as historia.
I mëshiroj, por nuk më dhimbsen. Thjesht, bashkë me një shumicë dërrmuese të heshtur, këtej dhe andej Morinës, e cila besoi se e mërkura europiane e Shqipërisë ishte ajo që duhej, i refuzoj plotësisht. Sepse po shndërrohen në të ligën që kërkon të na shohë të gjithëve ligsht. Por, dikush duhet t’ua thotë, herët apo vonë, këtyre humbësve serialë, se të urresh Ramën, nuk është arsye për të mos dashur Shqipërinë.- shkroi Spiropali.
Nga Strasburgu, kryeministri Edi Rama e ka quajtur ‘fake news’ raportin e Dick Martyt për krimet e pretenduara se janë kryer nga drejtuesit e UCK-së gjatë luftës në Kosovë. Rama tha se ky raport ishte një dështim i turpshëm i diplomacisë ndërkombëtare, që duhet zhbërë pa humbur kohë.
Comments are closed.