Një debat i fortë ka nisur në rrjetet sociale pas deklaratave të islamologes Ikballe Huduti, e cila pohonte se ishte ajo vetë që i kishte gjetur dy gra të tjera bashkëshortit të saj. Edhe pse poligamia (martesa me më shumë se një person) dënohet me ligj në Shqipëri dhe Kosovë, Huduti pohonte se kishte një raport shumë të mirë me të shoqin, dhe se ai i meritonte dy gratë e tjera. Kaq ka mjaftuar që rrjeti të nisë të debatojë se a duhet të flitet sot për poligaminë dhe sa e aplikuar është në terren. Ish-myftiu i Tiranës, Ylli Gurra pranon se në xhami ka patur raste të martesave të shumëfishta.
Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Gurra tha se rastet ndodhin dhe janë reale, edhe pse ligji shkelet.
“Në aspektin ligjor, ata janë në shkelje të ligjit. Nuk duhet të ndodhë në atë mënyrë që ndodh. Absolutisht. Ka pasur disa raste në xhami. Ka raste që ka edhe braktisje të këtij lloji, ndërkohë që nuk ka vënë në dijeni ish-bashkëshorten. Poligamia e lejuar sipas tekave personale të individëve është ekstrem”, tha ai.
Por çfarë tha islamologia kontraverse? Ikballe Huduti tha në programin televiziv “Kojshia” në Kosovë se: Unë burrit tim, i kam ispatë (dëshmitare), dy gra janë, njëra është doktoreshë në Gjakovë dhe një tjetër ekonomiste e ndarë me një fëmijë, pastaj pas ofertës time me e martu burrin tim me të dytën grua, kjo ekonomistja me një fëmijë kthehet te i njëjti burrë dhe ia bën edhe gjashtë fëmijë. Ndërsa unë si grua myslimane që e besoj Kuranin dhe e pasoj Ehli Bejtin, unë brengosem për çështjet e moralit në shoqëri. Kjo doktoresha, ka pasë një martesë të shkurtër nja 7-8 muaj dhe e pash që është e mërzitur, mirëpo grua tepër inteligjente. Unë shumë e zënë, e burrin e kam që jo një grua, jo vetëm mua që më meriton, por i meriton edhe dy gra tjera. Por, burrat e sotshëm, besoni se nuk i meritojnë as qato gra. Ka pasur martesë dy vjet. Unë e kam leju, sepse kam shkuar për dy muaj për ngritje intelektuale dhe unë e di që nëse burri i im shkon me një grua, pa niqah, pa kurorë, pa dhuratë të martesës, ai kishte me e dëmtua edhe atë grua, shpirtërisht, fizikisht, moralisht”./Dosja.al
Comments are closed.