Kristjan Cenaj, 30-vjeçari i arrestuar për vrasjen e 16-vjeçarit Mariglen Gjonaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2015, është prangosur në Rinas. Një ditë pas njoftimit të bërë me dije nga vetë Policia e Shtetit, mësohet se Cenaj ishte mbajtur nën vëzhgim nga autoritetet italiane. Policia e Shtetit kishte vënë në dijeni kolegët e shtetit fqinj per faktin që Cenaj po hetohej për vrasje dhe 30-vjeçari është vëzhguar nga autoritetet italiane.
Në momentin që ai është nisur drejt Shqipërisë ku dhe do të merrte pjesë në dasmën e një të afërmi në Mamurras, Policia e Shtetit është vënë në dijeni. Me mbërritjen në Rinas, atij i është komunikuar urdhër arresti i lëshuar nga prokuroria dhe është dërguar në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Kurbin. Akuza e ngritur ndaj tij është “Vjedhje me pasojë vdekjen”. Kristjan Cenaj do të njihet me masën e sigurisë në Gjykatën e Kurbinit, në një seancë që pritet të mbahet nesër.
Dëshmia e tij para hetuesve nuk është zbardhur plotësisht, por paraprakisht mësohet se ai ka mohuar të ketë lidhje me krimin e rëndë. Vrasja e Mariglen Gjonaj u zbardh dje, shtatë vite pasi kishte ndodhur dhe pak muaj nga gjetja e eshtrave të adoleshentit në Fushë Kuqe, në prill. Ekspertiza tregoi se 16-vjeçari ishte dhunuar në mënyrë makabre dhe një goditje në kokë, që kishte lënë edhe shënjë në kafkën e tij, i kishte sjellë vdekjen.
Sipas hetimeve të deritanishme, Cenaj ka dashur t’i grabisë Gjonajt orën e llojit ‘Rolex’ dhe varësen e floririt që mbantë në qafë. Ai hipi në makinë me të ditën që adoleshenti po nisej për ekskursion me shokët, por në Fushë Kuqe, e sulmoi, e vrau dhe e la të groposur.
Comments are closed.