Nga Kukësi, ambasadori i Britanisë në vendin tonë Alastair King Smith u bëri thirrje shqiptarëve që të mos rrezikojnë jetën duke shkuar në Angli në mënyrë ilegale.
Ai u shpreh se ka projekte ambicioze punësimi në këtë rajon, duke iu lutur qytetarëve që të punojmë me ta për të krijuar shpresë dhe oportunitete për këtë rajon.
“Jam në Kukës për të nisur me programin ‘Perspektiva të reja për qarkun e Kukësit’. Kjo është iniciativa jonë më ambicioze në veri të Shqipërisë. Do të garantojë aftësi të reja dhe punësim në këtë rajon. Mesazhi im për të gjithë ata që po mendojnë të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme është, prisni, mos shkoni tani dhe mos rrezikoni jetën tuaj! Ajo që ju tregohet në mediet sociale nuk është realiteti. Ju po dëgjoni kryeministren britanike se Britania po kërkon punëtorë, prandaj rrini këtu dhe aplikoni për viza në mënyrë ligjore. Mos ikni ilegalisht, mesazhi im për prindërit dhe anëtarët e familjes është që kriminelët dhe trafikantët po shfrytëzojnë fëmijët tuaj dhe po i detyrojnë ata t’i hyjnë botës së krimit. Ju lutem punoni me ne për të krijuar shpresë dhe oportunitete për këtë rajon”, deklaroi ai.
Në Kukës u bë prezantimi i startimit të projektit “Perspektiva të reja për qarkun e Kukësit” me një fond prej 8.4 milionë paund që qeveria britanike do të zbatojë për 3 vite bë qarkun e Kukësit.
Qëllimi është frenimi i fenomenit të paligjshëm të emigrimit drejt Britanisë.
Sipas ambasadorit, ky projekt do të sjellë një perspektivë të re për familjet dhe mundësi të reja punësimi për të mbështetur Shqipërinë.
Comments are closed.