Është vetëm 22 vjeç, por ia ka dalë që e gjithë bota e futbollit të flasë për të. Erling Haland, ylli më i ri i futbollit europian ka bërë që të jetë në qendër të vëmendjes së të gjithë medive sportive.

Sulmuesi që i mungonte kampionëve të Anglisë, Manchester City, ka shënuar 14 gola në vetëm 8 ndeshje në Premier League duke u bërë shënuesi më i mirë në të pesë kampionatet kryesore të Europës këtë sezon.

Nisur nga këto rezultate mediat kanë nisur të bëjnë edhe projeksione për golat e mundshëm të tij deri në fund të sezonit: Erling Haland do ta mbyllte sezonin e Premier League me 67 gola në rast se ai ruan të njëjtën mesatare shënimi dhe minuta në fushë, ndërkohë që nëse do të luante çdo minutë deri në fund të sezonit të mbetur do të shënonte 71 gola.

Gjithnjë nëse sulmuesi i Manchester City ruan të njëjtat raporte, atëherë 22- vjeçari do ta mbyllte sezonin me 95 gola në të gjitha kompeticionet në rast se Manchester City do të luanin çdo ndeshje të këtij sezoni dhe ai do të shënonte 102 gola nëse nuk do të zëvendësohej kurrë. Sigurisht janë vetëm projeksione bazuar në shifrat e norvegjezit që shënon mesatarisht 1.89 gola për ndeshje në Premier League.