Një 30-vjeçar identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur ka rënë sot në prangat e Policisë britanike pasi akuzohet për trafik të paligjshëm emigrantësh.
Në videon e shpërndarë në mediat britanike shihet momenti i arrestimit të tij. I veshur me bluzë portokalli dhe me duar e lidhura ai futet në makinën e Policisë për t’u dërguar në rajon. Shqiptari u arrestua në zonën Tolworth Rise ku gjatë kontrollit u gjetën shuma të konsiderueshme monetare. Mediat angleze shkruajnë se ai po merret në pyetje nga oficerët nën dyshimet se është pjesë e një grupi kriminal që siguron trasporin e emigrantëve nga Franca drejt Anglisë.
Shqetësimin për këto emigrantë e ka ngritur edhe shefi i hetimit të policisë britanike Jacque Beer i cili tha se Përpjekjet për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla janë tepër të rrezikshme. Këto rrjete kriminale nuk kujdesen për sigurinë e personave që transportojnë pasi shfrytëzojnë gjithçka për përfitim. Vetëm në pak kohë policia britanike ka hapur më shumë se 60 hetime për rrjete ose individë të dyshuar të përfshirë në krimin e organizuar të imigracionit ose trafikimin e qenieve njerëzore.
Trafikantët shqiptarë mendohet se luajnë një rol të madh në lehtësimin e migrimit të paligjshëm përtej Kanalit. Britania dhe Franca u zotuan të ndalojnë të gjitha kalimet ilegale dhe për këtë arsye dy shtetet do të mbajnë një takim në vitin 2023, në një përpjekje për të forcuar luftën kundër migracionit të paligjshëm.