Zbulohet arsyeja se përse ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi u shfaq në Kryeministri. Burime për Report TV bëjnë me dije se Doshi ka pasur një takim në zyrat e Bashkëqeverisjes, të cilat ndodhen në katin e parë të godinës së Kryeministrisë.

Mësohet se ai ka debatuar për disa ankesa nga Shkodra dhe administratën shtetërore, e më pas është larguar. Megjithatë nuk sqarohet konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.

Po ashtu, mësohet se Tom Doshi është parë të hyjë e të dalë nga ambientet e Këshillit të Ministrave nga hyrja e përdorur nga administrata në godinën, e cila më parë përdorej nga Ministria e Financave.

Por lidhur me vizitën e tij, nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga Kryeministria, ndërsa kreu i qeverisë Edi Rama u shpreh se nuk kishte asnjë ide se përse Doshi kishte shkuar në godinën e tij.