Në një ose dy muaj, bota mund të hyjë në një konflikt të përmasave të papara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kështu tha presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një intervistë me transmetuesin publik serb Radio Televizioni i Serbisë. Sipas tij, konfliktit në Ukrainë mund t’i bashkohet një lufte të madhe.

“Unë supozoj se nga faza e një operacioni special ushtarak po i afrohemi një lufte të madhe dhe tani pyetja është se ku janë kufijtë dhe nëse do të shkojmë pas një kohe, ndoshta pas një muaji ose dy, në një konflikt të madh botëror, siç nuk e kemi pasur që nga Lufta e Dytë Botërore,”-tha ai.

Vuçiç, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, tha se pret komplikime të mëtejshme në marrëdhëniet e Rusisë dhe Kinës me Perëndimin.

“Unë pres që gjithçka që do të shohim në periudhën e ardhshme do të komplikojë më tej marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Rusisë, por edhe midis Perëndimit dhe Kinës,”-u shpreh ai ndër të tjera.

Sa i përket Kosovës, Vuçiç paralajmëroi se një tjetër vend është bërë gati për të tërhequr njohjen e pavarësisë. Gjithashtu sqaroi se në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Europian për politikë të jashtme, Joseph Borrell, pati një qëndrim të përbashkët me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.