Makina që po shikoni është mjeti me të cilin ka lëvizur për herë të fundit I shumëkërkuari Ervis Martinaj, i cili është zhdukur pa gjurmë që prej 9 gushtit. Bëhet fjalë për një mjet të blinduar me ngjyrë të zezë, i llojit “Mercedes Benz”, tip “C Class”.
Me këtë makinë, Martinaj, efektivi Jeton Lami dhe një mikeshë e të shumëkërkuarit kanë udhëtuar në drejtim të Durrësit. Aty kanë parkuar pranë një hoteli, brenda të cilit janë futur të tre, por Lami ka dalë pas pak minutave.
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.