Gazetarja Klodiana Lala ka publikuar foton e personit i cili dyshohet se do të kryente ekzekutimin e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. E ftuar në emisionin Open në News 24, Lala tha se personi ishte i skeduar në Kurbin, Elbasan dhe Lezhë për vrasje.
“I skeduar në Lezhë për vrasjen e një ish oficeri policie dhe në Kurbin për një tjetër vrasje, në një dosje penale në Elbasan, po të dalin të dhënat mbi personin imagjinon ç’ndodh me hetimet, Minohen hetime të tëra, i bëj thirrje të gjithë kolegëve të publikojnë të dhënat e dokumentet me interes për publikun. jo ato që nxisin konflikte sociale dhe ndihmojnë vrasës të shpëtojnë”, tha ajo.
Çfarë ndodhi sot?
Dokumente sekretë nga Policia e Shtetit kanë ‘rrjedhur’ pas sulmit të kryer nga hakerat dhe kanë zbuluar disa atentate të planifikuara ndaj zyrtarë shqiptarë e të Kosovës. Dokumentet kanë zbuluar se është tentuar vrasja e disa personave, mes tyre ish-kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Veç tyre ishte tentuar eliminimi i Ismet Haxhës dhe Xhavit Halitit, dy zyrtarë në Kosovë. Po ashtu janë siguruar informacione edhe për qarkullimin lirshëm të Talo Çelës në Tiranë. Ai ka ardhur dhe ka takuar Ervin Matën, një prej protagonistëve të vrasjes në ish-Bllok, ku mbeti i plagosur Ervis Martinaj dhe u vra miku i këtij të fundit, Fabjan Gaxha.