Grupi Homeland Justice ka bërë së fundmi një reagim ku flet për sulmet kibernetike në Shqipëri. Homeland Justice thotë përmes një mesazhi në rrjetet sociale se përmes sulmeve kibernetike kanë shprehur urrejtjen dhe zemërimin ndaj qeverisë shqiptare. Ata shprehen se nuk duan të cënojnë interesat e popullit, por Shqipëria ka qeveri dhe politikanë të korruptuar, prandaj dhe ndërmorën sulmin duke paralizuar funksionimin e shtetit.

“Kemi kryer sulmet kibernetike për të shprehur zemërimi dhe urrejtjen tonë ndaj qeverisë shqiptare. Terroristët e huaj dhe pastruesit e parave nuk i përkasin tokës sonë të shenjtë. Toka jonë ka nevojë për tu pastruar,”-shkruan Homeland Justice.

Sistemi TIMS ka shfaqur sërish probleme në Shqipëri. Më konkretisht në pikat e kalimit kufitar të Gorricës dhe Qafë Thanës, të cilat lidhin Republikën e Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut, po punohet me regjistra manualë dhe jo sistem teknologjik.

Ç’ndodhi javën e kaluar?

Nga ora 20:00 e datës 9 shtator sistemi TIMS në pikat e kalimit kufitar u godit nga një sulm kibernetik. Në fillim u raportuan probleme në sistemin TIMS në pikën kufitare të Kapshticës, ndërkohë më vonë u raportua për probleme dhe në pikën kufitare të Kakavijës dhe Rinasit. Dosja.al arriti të siguronte mesazhin e dërguar në kompjuterët e policëve në pikat e kalimit kufitar u ishte shkruar “Shqipëria po vuan dhe do të vuajë ende përkrahjen që i ka dhënë iranienëve të MEK”.

Menjëherë kryeministri Edi Rama akuzoi Iranin se fshihet pas këtij sulmi. Kreu i ekzekutivit u shpreh se po punohej me aleatët që sistemet të mbetën të pa penetrueshme nga sulmet dhe një ditë më pas sqaroi opinionin publik se asnjë e dhënë nuk është prekur nga sulmi. Më herët vendi ynë shkëputi marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas vërtetimit të akuzave se ishte pikërisht Irani ai që fshihej pas sulmeve kibernetike më datë 17 korrik që nxorrën jashtë funksionit faqen e shërbimeve qeveritare e-Albania duke rrezikuar seriozisht sigurinë kombëtare për shkak të të dhënave të qytetarëve që mund të ekspozoheshin.