22 herë është ndryshuar ligji i pensioneve në Shqipëri, por skema vazhdon të jetë një gropë e madhe buxhetore. Pas auditimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, KLSH ka dalë në përfundimin se as reforma e pensioneve e bërë nga qeveria në vitin 2014 nuk I ka dhënë zgjidhje problematikave të skemës së sigurimeve shoqërore në vend, e cila për të mbuluar nevojat duhet të financohet çdo vit me qindra milionë euro nga taksat e qytetarëve.

KLSH thotë se për vitin 2021 subvencioni I llogaritur nga buxheti I shtetit për skemën e pensioneve ishte 37.7 miliardë lekë, ose rreth 320 milionë euro. Sipas KLSH-së të ardhurat nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të skemës së pensioneve duke krijuar një deficit të vazhdueshëm nga viti në vit.

Aktualisht për çdo kontribues ka 1.42 përfitues. Shkalla e zëvendësimit (pension mesatar/ kontribute mesatare) është shumë e ulët, duke nxitur informalitetin në këtë drejtim. Gjithashtu Shqipëria vijon të ketë një nivel të ulët të të ardhurave nga kontributet shoqërore në raport me prodhimin e Brendshëm Bruto, duke shënuar 5.4% në vitin 2021.