Vllaznia në volejboll për femra vazhdon me intensitet të plotë përgatitjet për sezonin e ri sportiv, 2022-2023, ndeshjet e të cilit fillojnë në fund të këtij muaji. Përpos blerjes më të rëndësishme, trajnerit të njohur Besnik Lisha, për sezonin e ri Vllaznia pritet të ketë ndryshime të shumta në formacionin e saj.
Kështu, në krahasim me një sezon më parë, këtë vit ka disa largime të volejbollisteve shkodrane, të cilat janë zëvendësuar me lojtare të huaja, cilësia e të cila e të cilave nga sa thuhet pritet të bëjë ndryshimin e madh në radhët e skuadrës kuqeblu.
Gjithësesi, përpos largimeve të mëparshme, ato që bëjnë përshtypje janë dy largimet e fundit. E para kishte të bënte me 15 vjeçaren e talentuar Adma Mikopula, e cila pasi u la jashtë listës së federimit të ekipit të parë, ka qënë skuadra korçare Skënderbeu kampion në fuqi, që ka kërkuar menjëherë shërbimet e Mikopulas.
Ndërkohë, largimi i dytë i këtyre ditëve ka të bëjë me kapitenen e skuadrës, lojtaren me shumë përvojë në radhët e skuadrës kuqeblu, Klodeta Zhivani. Nga sa bëhet e ditur, largimi i saj është disi absurd nga mënyra se si është vepruar.
Ndërkohë që Zhivani ka vijuar përgatitjet me skuadrën, një dëmtim i marrë në stërvitje e sipër e ka detyruar atë që me rekomandimin e mjekut sportiv të ndërpresë stërvitjen duke iu nënshtruar disa seancave rikupuruese. Por, pikërisht këto mungesa janë bërë shkak që raportet e saj si kapitene të prishen me stafin drejtues. Kjo, sepse pas rikthimit të saj në stërvitje me skuadrën, asaj i është komunikuar që nuk do të jetë më kapitene e skuadrës, ndërkohë që më pas ka ardhur edhe largimi përfundimtar nga skuadra.
Comments are closed.