Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar pas takimit të ditës së sotme të ambasadores Yuri Kim në ambientet e KQZ-së, me drejtuesin e saj dhe me disa përfaqësues të partive politike.

Teksa ndan disa foto nga tryeza e përbashkët, Ambasada thekson se u diskutua kërcënimi serioz i financimeve të fshehta politike ruse. Po ashtu, është zbuluar se Kim ka nënvizuar gjatë takimit se SHBA do të punojë me partnerët në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për t’i mbrojtur nga këto kërcënime.

NJOFTIMI I AMBASADËS:

Ambasadorja e SHBA Yuri Kim u takua me Kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi dhe përfaqësues të partive politike sot për të diskutuar kërcënimin serioz të financimeve të fshehta politike ruse si dhe kanosjen që kjo paraqet për demokracinë dhe përpjekjet anti-korrupsion. Kërcënimi i financimit të fshehtë politik rus nënvizon rëndësinë që ka rritja e transparencës në financimin e fushatave, regjistrimi i enteve të huaja, si dhe masat për të identifikuar dhe parandaluar pastrimin e parave. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me partnerë në të gjitha institucionet demokratike të Shqipërisë për mbrojtjen ndaj këtyre kërcënimeve.