Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka komentuar përplasjet me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim. I ftuar në RTV Ora, Meta u shpreh se qëndrimet e tij të mëparshme i drejtoheshin mazhorancës dhe jo ambasadës së SHBA. Meta tha se korrektesa e tij është maksimale. Partnerët ndërkombëtarë sipas tij kanë marrëdhënie me institucione dhe jo me partitë.
“Qëndrimet e mia kanë qenë të lidhura dhe i drejtoheshin mazhorancës. I drejtoheshin asaj që të mos keqinformonin sepse unë flisja ndryshe. Kam marrëdhënie të shkëlqyera me SHBA-të. Asnjëherë nuk kam shkelur një ligj amerikan.
Korrektesa ime është maksimale. Partnerët kanë marrëdhënie me institucione dhe jo me partitë. Ndërsa ne jemi në kërkim të një profili të ri ndërkombëtar. Ne do të jemi një lokomotivë e procesit të integrimit të vendit, ashtu sikurse kemi qenë më herët. Nuk kam asnjë drojë nga asnjë shtet, asnjë shqetësim” – u shpreh Meta.
Ai mohoi gjithashtu se ka asnjë konflikt mes tij dhe Berishës. Sipas Metës, gjëra të tilla nxiten nga qeveria, bashkia e Tiranës dhe paratë e incineratorëve.
“Ashtu sikurse kapja e shtetit, ishte një proces edhe dëmtimi i opozitës. Kjo nuk ndodhi në një ditë. Edhe ringjallja e opozitarizmit dhe protestës qytetare, sigurisht që është një proces. Këtu do të ketë një larmi aktivitetesh, protestash dhe nismash që do të përshkallëzohen me një dinamikë të caktuar. Ne do të koordinohemi me opozitën për këtë” – tha Meta.
Ai tha se PD ishte pranishme në protestë edhe pse jo Berisha. Meta shtoi se protesta nuk ishte për pjesëmarrje dhe se opozita i koordinon veprimet e saj.
“Protesta u bë një vend të caktuar dhe organizimi ishte simbolik. Nuk ishte për pjesëmarrje se atje ka problem. Atje ishim për të paraqitur disa fakte për krimin. Ne i kemi bërë thirrje qytetarëve për të protestuar. Sa i takon frontit opozitar, të gjithë ata që janë në opozitë me Ramën e kanë për detyrë që të koordinojnë veprimet e tyre” – tha Meta. ©LAPSI.al
Comments are closed.