Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë në hyrje të qytetit të Beratit. Një automjet, tip Fuoristradë Benz, me targa angleze ka qenë duke bërë manovra të rrezikshme në rrugën e Kombinatit dhe në një moment drejtuesi Leon Simoni, 31 vjeç ka humbur kontrollin e mjetit.
Për pasojë ka përplasur 3 persona që ndodheshin në anë të rrugës, përbri mjetit të tyre, tip Fiat Punto, me targa AA 836 AG. Report Tv ka siguruar pamjet e aksidentit kur ‘Benz-i’ vjen me shpejtësi dhe përplas makinën Fiat, pranë së cilës ndodheshin 3 këmbësorët që u plagosën.
Të plagosurit janë: Blerina Nerjaku, 45 vjeçe, banuese në Shijak, Mersine Nerjaku 37 vjeçe, banuese në Zvicër dhe Shkëlqim Kapxhiu 63 vjeç, banues në fshatin Velabisht në Berat. Të plagosurit u transportuan në Spitalin Rajonal të Beratit. Pasi morën trajtim mjekësor, 2 pacientet lanë spitalin ndërsa 63-vjeçari ndodhet nën mjekim intensiv.
Në vendngjarje shkuan efektivë të shumtë policie si dhe drejtues të DVP Berat, që po kryejnë edhe këqyrjen e vendit të ngjarjes si dhe pyetjen e dëshmitarëve, për të zbuluar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit të rëndë. Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin, Leon Simoni, banues në Shkodër, është shoqëruar në polici, ndërkohë që nuk dihet nëse ishte i dehur në timon apo jo.
Comments are closed.