Në studion e ABC live me gazetaren Sibora Bitri u diskutua për ndryshimet që priten ti bëhen reformës territoriale të miratuar në vitin 2014.
Të pranishmit në studio, deputeti i PD Sajmir Korreshi si dhe eksperti i qeverisjes vendore Roland Bejko, u shprehën për mungesën e vullnetit të mazhorancës për ndryshimet e reja territoriale.
Deputeti Korreshi, si pjesë e komisionit përbërës për ndryshimet territoriale theksoi që puna e komisionit deri tani ka qenë e dështuar dhe se mazhoranca nuk është gati për të arritur një kompromis.
Sipas tij, diskutimet për reformën diskutohen vetëm në media, ndërkohë që ka një komision që është duke punuar për këtë gjë. Deputeti Korreshi u shpreh që ‘ky komision nuk duhej bërë, nëse vendos Taulant Balla për çdo gjë në reformën territoriale, kemi harxhuar kohë, shteti ka harxhuar para, propozimi i PD akoma jo zyrtar, thjesht është diskutuar në mbledhje, nuk kemi dalë me një ide të plotë’.
“Deklarata e Taulant Ballës ishte jo vetëm e çuditshme por edhe e turpshme. (Balla tha dje do të qendrojnë me 61 bashki sepse po funksionojnë për së mbari.)
Shpresoj që deklaratat e Ballës të kenë qenë personale jo partiake. Deri tani kemi bërë vetëm takime konfidenciale, por nuk e kemi zyrtarizuar asgjë ende, jemi në fazën e kolaudimit të propozimit tonë. Ne do të japim propozimin tonë, PS të vetin dhe të arrijmë në një konkluzion të përbashkët. Mesa di unë PS po mendon rrethn 80 bashki, kjo përafrohet me numrin e bashkive që ne dëshirojmë. Reforma bëhet 6 muaj para zgjedhjeve. Brenda 30 shtatorit kemi rënë dakord që reforma territorial të mbyllet”, tha Korreshi.
Në draftin e propozuar nga PD, kërkohet që të behen 92 bashki dhe 6 rajone. Ndërkohë që nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë. Ndërkohë që PS i qëndron ndarjes aktuale territoriale me 61 bashki dhe 12 qarqe, sipas deklaratës në media edhe të kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla.
Sipas zhvillimeve aktuale, të pranishmit në studio të ABC Live u shprehën që reforma është ende në kohë që të zbatohet në zgjedhjet e vitit 2023, duke qenë se është afati 6 –mujor përpara zgjedhjeve. Por vullneti nga mazhoranca nuk ekziston, sipas ekspertit për qeverisjen vendore Roland Bejko sepse reforma territoriale ka të bëjë me demokracinë vendore, dhe duhet një vullnet i përgjithshëm dhe jo i njëanshëm si në vitin 2014./Abcnews.al/